Pretendime të reja ndaj Kremlinit

Pretendime të reja ndaj Kremlinit

Shtëpia e Bardhë por edhe Kremlini i kanë hedhur poshtë pretendimet mediatike se pala ruse ka pasur marrëveshje me grupet talibane për vrasjen e ushtarëve amerikanë në Afganistan.

Sipas lajmit të publikuar të premten nga prestigjozia amerikane "New York Times", shërbimi informativ ushtarak rus vitin e kaluar u koordinua me militantë islamikë dhe me celula të tjera rivale të Uashingtonit, duke u ofruar shpërblyer në këmbim të sulmeve ndaj forcave të koalicionit, përfshirë trupat amerikane.

Në vitin 2019, dhjetëra pjesëtarë të ushtrisë së SHBA-së mbetën të vrarë në kohën që Amerika dhe talibanët ishin në bisedime paqeje për Afganistanin.

Sipas gazetës, qeveria amerikane dhe presidenti Donald Trump ishin në dijeni të informacionit për rusët dhe pak muaj më parë ishin konsultuar rreth tij, por vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë të dielën i mohoi pretendimet.

"Askush nuk më ka informuar mua, zëvendësin tim apo Shefin e Shtabit për të ashtuquajturat sulme ruse mbi trupat tona në Afganistan, siç raporton gënjeshtrazi burimi anonim i Nju-Jork-Tajmsit. Ndoshta kjo është një tjetër histori false si ajo e ndërhyrjes ruse në zgjedhje," u shpreh Trump në Twitter.

Deklarata nuk e bindi kundërshtarin e tij politik, demokratin Xho Bajdën, që qortoi kreun e shtetit pse nuk veproi ndaj Rusisë.

"Nëse e marrim të mirëqenë se lajmi është i saktë, atëherë nuk ka fund ligësia morale e Vladimir Putinit dhe e Kremlinit. Donald Trampi jo vetëm që nuk ka dashur t'i vendosë Rusisë çfarëdolloj sanksioni me pasoja, por vazhdon fushatën e denigrimit të vetes para Putinit. E gjithë presidenca e tij ka qenë dhuratë për të, tradhti ndaj detyrës më të shenjtë."

Në Kremlin, Ministria e Jashtme ruse reagoi në fundjavë duke i quajtur informacionet në medie lajme të rreme, primitive të shtyra nga "propagandistë të shërbimit informativ amerikan me kapacitet të ulët intelektual.

Ndërkohë zëdhënësi i Talibanit si palë e pretenduar në marrëveshjen me Rusinë e mohoi bashkërendimin me aktorë të tjerë si të pabazë.

Ushtria amerikane lufton me militantët talibanë prej gati 20 vitesh ndërsa në muajin shkurt vendosi t'i tërheqë trupat me faza nga Afganistani si pjesë e një akordi paqeje mes palëve.

EMISIONET