Ndërsa situata e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit shfokusoi të gjithë vëmendjen nga kriza politike, presidenti Meta i është rikthyer edhe njëherë kësaj çështje duke kërkuar reflektim të palëve.

Meta: Shpresoj që ky fundviti dhe  ky tërmet me shumë pasoja që na mësoi se më e rëndësishme se çdo gjë është jeta, shëndeti dhe dashuria për njëri-tjetrin, të na ndihmojë të reflektojmë për një politikë të re që drejton në mënyrë gjithëpërfshirëse, demokratike, përmes votës së lirë dhe garanton llogaridhënie të besueshme.

Për Presidentin, klasa politike duhet ti kthehet sa më shpejt dialogut për të rritur besimin te qytetarët dhe frenuar shpopullimin që po i ndodh vendit.

Meta: Shqetësimi im më i madh është tërmeti i përditshëm me atë që unë e quaj shpopullim. Duhe të reflektojmë sa më shpejt sepse kjo humbje besimi është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e këtij konflikti skizofrenik, artificial, të cilin nuk mund të vazhdojmë më të jetë një mënyrë qeverisje për një Shqipëri ka shqiptarë. Politika duhet të reflektojë e para por edhe vetë shqiptarët duhet ti thërrasin mendjes, mund të ikin në gjithë botën për  një punë më të mirë, pagë më të mirë,  për arsim më të mirë, por do të humbasin përgjithmonë atdheun e tyre.

Sa i takon tubimit të mbetur pezull për mbrojtjen e Kushtetutës, Meta pati këtë koment:

Meta: Kushtetutën e kam mbrojtur dhe do vazhdoj ta mbroj. Por edhe qytetarët e kanë kuptuar se  e vetmja rrugë për të pasur shtetin që duan është që të kuptojnë se sa e rëndësishme është të jenë çdo ditë në mbrojtje të Kushtetutës dhe të drejtës së tyre. Kushtetuta është garancia e të gjitha drejtave kushtetuese dhe të ardhmes europiane të këtij vendi.Nuk është copë letër.

/Ora News.tv/