Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi “Kongresin e Lushnjës” me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit dhe veprimtarisë së atdhetarëve të Kongresit të Lushnjës; si një nga kuvendet më të rëndësishëm të historisë së kombit shqiptar, që realizoi mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbjen e shtetit shqiptar dhe konsolidimin e pavarësisë së plotë të vendit. Në kushte tejet të vështira, Kongresi i Lushnjës ia doli të bashkojë vendin të jetësojë vetëqeverisjen, si dhe të garantojë sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar para opinionit ndërkombëtar”.

Po ashtu kreu i shtetit dekoroi edhe Familjen e Shaqir Fugës me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin: “Për kontributin e saj në mikpritjen, zhvillimin dhe mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës. Kjo familje, si një nga përfaqësueset më të mira të traditës atdhetare lushnjare, u hapi dyert e shtëpisë delegatëve dhe nuk kurseu asgjë për mbarëvajtjen e Kongresit në interes të kombit”.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit vlerësoi edhe Abdyl Ali Ypin (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Si atdhetar i shquar i lëvizjes për Pavarësi, kontribues në shtetformimin dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, si dhe për përkushtimin e tij deri në flijimin e jetës për organizimin e Kongresit Kombëtar të Lushnjës”.

/Ora News.tv/