Një ditë pas takimit me homologun francez, Presidenti Ilir Meta në një intervistë për Radio France shprehet i bindur se partnerët evropianë do të mbështesin rrugën europiane të Shqipërisë. Gjithashtu Kreu i Shtetit në Paris i kujton liderëve të BE, që paqja e Evropës varet nga stabiliteti i Ballkanit.

Pavarësisht qëndrimit skeptik të Francës në Tetor, Kreu i Shtetit shqiptar Ilir Meta në një intervistë për Radio France International ka besim se Parisi zyrtar do  të vijojë mbështesë rrugën e integrimit të Shqipërisë. 

Por Ilir Meta nuk ka lënë pa kujtuar se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është në interes të familjes Evropiane dhe për këtë i ka kujtuar partnerëve evropiane nisjen e Luftës së Parë Botërore.

Meta: Shqipëria është e vendosur dhe dëshiron të jetë një faktor i stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkan. Është në interes të rajonit dhe përgjithësisht të Europës. Ne kemi besim te partnerët tanë europianë, veçanërisht tek Franca dhe Gjermania. Për të pasur një Europë të sigurt dhe të zhvilluar, Ballkani, në të njëjtën kohë, duhet të jetë i qëndrueshëm dhe paqësor. Historia na e ka treguar gjithmonë këtë. Të gjithë e dimë se në Ballkan filloi Lufta e Parë Botërore.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shpresojnë që deri në Samitin e Zagrebit liderët e Bashkimit Europian të marrin një përgjigje pozitive për hapjen e negociatave.

/Ora News.tv/