Duket se Presidenti, Ilir Meta, do të refuzojë propozimin e kryeministrit Edi Rama, për të ulur në karrigen e Ministrit të Brendshëm ish-gjeneralin Sandër Lleshi. Kur na ndajnë vetëm 4 orë nga përfundimi i afatit kushtetues, Presidenca ndau një njoftim për mediat, ku thuhej se kreu i shtetit nuk ka krijuar bindjen e plotë për t'i dhënë besimin kandidaturës së z.Sandër Lleshi.

Presidenti, Ilir Meta, ende nuk është shprehur me dekret për propozimin e Kryeministrit për emrin e Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm, por në një njoftim të shkurtër për mediat ai ka lënë të kuptohet se është kundër.

Burimet i thanë Ora News, se Presidenti ka zhvilluar një takim me të propozuarin për Ministër të Brendshëm.

Ndërsa pas këtij zhvillimi, Presidenca përmes zëdhësit për shtyp tha: "Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t'i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si Ministër i Brendshëm".

Emri i Sandër Lleshit, u vu në pikëpyetje menjeherë pas propozimit të Kryeministrit pasi Presidenti i ka kërkuar informacion institucioneve ligjzbatuese në vend, si Shërbimit Informativ Ushtarak dhe Shërbimit Informativ Shtetëror për pastërtinë e figurës së Gjeneralit në rezervë.

Kjo është një procedurë që Presidenti ndjek për çdo emër para dekretimit, por Ora News mësoi se në këtë rast është kërkuar informacion specifik pranë Shërbimit Informativ Ushtarak, kryesisht për ngjarjen e 21 janarit 2011, kohë kur Lleshi ka mbajtur postin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ndërsa u akuzua nga politika në atë se ka qenë iniciator i një plani të ushtrisë për shpalljen e shtetrrethimit në vend, e kjo u konsiderua si grusht shteti nga Sali Berisha që mbate detyrën e Kryeministrit.

Drejtimin e Ministrisë së Brendshme mund ta marrë Rama

Juristët vlerësojnë se Shqipëria nuk e ka luksin të qëndrojë kaq gjatë pa një Ministër të Brendshëm.

Brizida Gjikondi: Shqipëria nuk ka luksin të jetë pa Ministër të Brendshëm jo vetëm si anëtar i NATO-s, jo vetëm në kuadër të reformës në drejtësi që ka ndërmarrë, por dhe në kuadër të arrestimeve dhe goditjeve që ka filluar të ndërmarrë kundrejt krimit të organizuar.

Në rastin e mosdekretimit të Sandër Lleshit, juristja Gjikondi shprehet se ka mjaft gjasa që postin e Ministrit të Brendshëm ta marrë vetë Kryeministri.

Brizida Gjikondi: Atë mund ta zërë zoti Rama dhe zotin Lleshi në mënyrë onorifike e bën zëvëndësministër. Ndërkohë vetë zoti Lleshi do të drejtojë Ministrinë e Brendshme. Do ketë një përplasje politike dhe morale.


/Ora News.tv/