Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një konferencë të jashtëzakonshme paraqiti fakte të reja që sipas tij vërtetojnë se kreu i KED, Ardian Dvorani, ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën duke kryer veprime kriminale në përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Duke e cilësuar Presidencën si fortesë të mbrojtjes së Kushtetutës, Kreu i Shtetit paralajmëroi se do të bëjë një shtesë në kallëzimin penal ndaj Dvoranit, ndërsa kërkoi që kreut të KED ti ndalohet veprimtaria kriminale.

"Mirë se erdhët në kështjellën e mbrojtjes së Kushtetutës dhe demokracisë."

Me këtë fjali të fortë e nisi konferencën e jashtëzkonshme, kreu i Shtetit Ilir Meta, i cili njoftoi shtesë në padi për kreun e KED-së, Ardian Dvorani, të cilin e akuzon për puç kushtetues, në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Ilir Meta: Nëpërmjet këtij komunikimi shkresor, i kallëzuari Ardian Dvorani, pa asnjë kompetencë të shprehur në Kushtetutë apo ligj, dhe duke mashtruar opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar, ka shtrembëruar faktet dhe ka abuzuar me detyrën me qëllim që në bashkëpunim me Kuvendin, t`i rrëmbenin Presidentit të Republikës kompetencën për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti, Ilir Meta, publikoi disa shkresa të cilat sipas tij vertetojnë se kreu i KED  po përdoret për të kapur Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kërkoi që të ndërpresë atë qe ai e quan veprimtari kriminale.

Ilir Meta: Të kallëzuarit Ardian Dvorani duhet t`i ndalohet menjëherë veprimtaria e organizuar kriminale për vonimin e procesit të plotësimit të kësaj Gjykate, që vendin e fundit vakant në të, t`ia ruajë vetes!

Ilir Meta tha se mazhoranca keqpërdori Komisionin e Venecias për të realizuar atë që e quan grusht shteti. 

Ilir Meta: Ky nxitim në panik i mazhorancës për të vendosur para faktit të kryer Komisionin e Venecias dhe për ti kërkuar atij të përjashtonte nga objekti pikërisht këtë ligj për të cilin e  kishte ftuar dy muaj më parë është një fyerje shumë e rëndë që i bëhet mekanizmave të Këshillit të Europës në terësi, Komisionit të Venecias në veçanti, por edhe ambasadave dhe ambasadorëve që dolën në krah të mazhorancës.

Edhe pse po i kufizohen kompetencat, Kreu i Shtetit as që e ka ndërmend të dorëhiqet, ndërsa tha se puçit kushtetues do ti përgjigjet me dekrete.

Ilir Meta: Zero mundësi që Presidenti i Republikës për shkak të avancimit të grushtit të shtetit të tërhiqet nga detyra e tij si kryetar i Shtetit dhe nga detyra e tij dhe misioni i tij për të mbrojtur shtetin e të drejtës.

Një koment ai kishte edhe për aktin normativ të qeverisë të njohur si kundër “kap ça t'kapësh”.

Ilir Meta: Janë marrë shumë me këtë ligjin e KÇK, kjo nuk më bën shumë përshtypje mua dhe as shqiptarëve.Ja ku është përgjigjia, 85% nuk e besojnë, 15% përpiqen ta besojnë.

"Dvorani keqinformoi kryetarin e Kuvendit"

Sot jam për të treguar sesa larg shkon  koordinimi mafioz për kapjen e drejtësisë, kur kryetari i Kuvendit me shkresën nr protokolli 3973 datë 8 nëntor 2019 i drejtohet kryetarit të KED duke i kërkuar informacion mbi ecurinë procesin të emërimit të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Dvornai brenda ditës i përgjigjet kërkesës së kryetarit të Kuvendit, duke keqinformuar dhe fshehur informacionin mbi vullnetin e shprehur dhe të administruar shkresërisht të presidentit për ushtrimin e kompetencave të tij në emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Dvorani pa zhvilluar asnjë mbledhje të KED pa patur kompetencën ligjore të përgjigjet për çështje të tilla dhe aq më pak të kryejë interpretime të kushtetutës konstaton si të jetë vetë Presidenti zgjedhjen e një anëtari të gjykatës kushtetuese.  

"Dvorani mashtroi opinion vendas dhe nderkombetar"

Nëpërmjet këtij komunikimi shkresor Dvorani pa asnjë kompetencë të shprehur në kushtetutë apo ligj dhe duke mashtruar opinionin vendas dhe atë ndërkombëtar ka shtrembëruar fakte dhe ka abuzuar me detyrën me qëllim që në bashkëpunim me Kuvendit ti rrëmbenin Presidentit kompetencën për emërimin e anëtarit të gjykatës kushtetuese që i takonte presidentit.

Meta 3 pyetje për Dvoranin

I kallëzuari Ardian Dvorani që ushtron ende funksionin e kreut të KED duhet ti përgjigjet:

Pse nuk thirri KED për të shqyrtuar dhe për tu shprehur për shkresën e kryetarit të Kuvendit?

A është në kompetencën e tij që të përcaktojë vullnetin e të gjithë këshillit duke e përfaqësuar në marrëdhënie me të tretët pa marrë autorizimin e anëtarëve të këtij këshilli?

Me kë bashkëpunoi apo kush e urdhëroi që të përgatiste në një kohë rekord një përgjigje në shkelje të rëndë të kushtetutës?

Meta: Kushtetuta kërcënohet nga një grup mafioz, grushtit të shtetit do t'i përgjigjem me dekrete

Meta: Kjo është vetëm grusht shteti, italianët i thonë "Colpo di stato"

Meta: Zero mundësi të tërhiqem për shkak të avancimit të grushtit të shtetit

Meta: Maxhoranca keqpërdori komisionin e Venecias për realizimin e grushtit të shtetit

Lexo gjithashtu: Meta: Po ngrihet shteti policor 

Dy ditë më parë përmes një postimi në facebook kreu i shtetit shprehu shqetësimin se qeveria po e kthen vendin në një shtet policor, duke zaptuar edhe Gjykatën Kushtetuese, pas ndryshimeve të bëra për procedure e betimit të gjyqtarëve.

Me miratimin në pabesi të plotë të ligjit anti-kushtetues të KRYEKÇK-së një ditë para mbërritjes në Tiranë të Komisionit të Venecias, të thirrur nga vetë Kuvendi një-partiak, nuk kanë më vlerë as thirrjet "Ndiq paratë" se tashmë paratë, pronat, çdo pasuri dhe të drejtat e shqiptarëve do përqëndrohen në një grusht të vetëm, falë grushtit të shtetit që finalizohet me shndërrimin e Gjykatës Kushtetuese në Polici kushtetuese të shtetit të PPP.

Ndryshimet e ligjit për policinë e shtetit, sipas Metës, nuk kanë si synim përafrimin me legjislacionin e BE. Për këtë arsye Ilir Meta ngriti alarmin se Edi Rama me Policinë dhe Propagandën po detyron shqiptarët të ikin nga vendi.

"Në shtetin e PPP (Polici Parti e Propagandë) ekziston vetëm grushti i shtetit dhe shpopullimi i vendit. Në shtetin e PPP nuk ekzistojnë as direktivat e BE, as Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, as Konventat Ndërkombëtare, se kriteret e Kopenhagenit nuk i kujton më njeri që kur u mbyll Ambasada daneze këtu."



/Ora News.tv/