Pas zbulimit të letrës që kreu i shtetit i ka dërguar eurokomisionerit të zgjerimit kryeministri Rama akuzon se për herë një president kërkon të minojë rrugën drejt Evropës së vendit të tij. Përgjigjen Ilir Meta e ka dhënë vetëm pak orë më pas ku dhe një herë theksoi se Kushtetuta është vija e kuqe të cilën nuk lejon të kalohet.

Asnjë reflektim nga ana e mazhorancës për sa i përket kërkesave të Presidentit, madje në akuzat në distancë, shefi i qeverisë e etiketon Ilir Metën si njeriu që kërkon të pengojë integrimin.

Shqetësimet për Gjykatën Kushtetuese dhe krizën politike të evidentuara nga Presidenti shqiptar  në letrën dërguar eurokomisionerit për zgjerimin, Kryeministri Edi Rama e cilëson si një frikë të Ilir Metës ndaj reformës në drejtësi.

Edi Rama: Për herë të parë që nga krijimi i Bashkimit Europian një president çon letra në Bruksel për të minuar urën mes Europës e vendit të tij! Për herë të parë në historinë e zgjerimit të BE një vend kandidat ka Brukselin PRO dhe Presidentin e vet KUNDËR vendit e KUNDËR vetë Brukselit.

Nuk ka vonuar përgjigja e Ilir Metës gjatë konferencës me gazetarët, duke deklaruar se çdo gjë gje e shkuar në atë letër është e vërtetë dhe mazhoranca po kërkon të krijojë armiq të rremë.

Ilir Meta: Ka ndonjë gënjeshtër?! Më thoni nëse ka gënjeshtër. Kush na bën ne moral për çështjen e integrimit? Zonja e Bilalit, që e ngriu procesin e integrimit 3 vjet për një kryetar qarku. Ti thërrasin mendjen dhe mos përgatiten për alibi dhe për të shpikur armiq.

Presidenti ka ende besim tek Gramoz Ruçi, pasi i kërkoi atij që të vendosë Parlamentin në institucion që ndahet nga mafia.

Ilir Meta: Për tu pozicionuar në anën e shtetit të së drejtës apo në anën e një grupi mafioz që po asgjëson dhe atë pak legjitimitet që i ka mbetur kuvendit.

Pasi lexoi letrën e plotë në gjuhen shqipe, Meta denoncoi sërish faktin se organizatat ndërkombëtare nuk po luajnë më arbitrin, dhe për këtë arsye ai do ta mbrojë me çdo kusht kushtetutën.

Ilir Meta: Integriteti i Gjykatës Kushtetuese është vijë e kuqe, e kuqe flakë, e patë uraganin kuq e zi. Faleminderit mirupafshim.



/Ora News.tv/