Situata e krijuar pas rastit të parë më koronavirus po ndiqet me vëmendje edhe nga kreu i shtetit, Ilir Meta.

Në një deklaratë për mediat, Presidenti Meta tha se nuk ka vend për panik, por duhet angazhim maksimal për të përballuar këtë situatë, pasi shëndeti i qytetarëve është prioritet.

Ilir Meta: Nuk ka vend për panik, por në radhë të parë nuk ka vend për nënvlerësimin më të vogël nga të gjitha institucionet dhe nga çdo qytetar.

Në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri maksimale, kërkohet bashkëpunim, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë.

Shëndeti i çdo qytetari dhe jeta e tij është prioritet i të gjithëve sot. Për këtë arsye mbështes personelin shëndetësor, që është vendosur përpara një sfide të madhe. Mjekët dhe infermierët të cilët do tu duhet të përballen me këtë rrezik serioz dhe madhor.

Apeloj bashkërendimin e të gjithë strukturave me forcat më të kualifikuara, njerëzore dhe shkencore, veçanërisht atyre me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë dhe higjienës.

Të garantohet siguria e jetës së qytetarëve

U bëj thirrje të gjitha institucioneve qendrore dhe vendore  të marrin masa për sigurinë e jetë së çdo qytetari. Për sigurimin e mjeteve të domosdoshme, për nisjen e trajnimeve të personelit që do të angazhohet për përballimin e kësaj situate, për caktimin jo vetëm të karantinave dhe perimetrit të tyre të sigurisë dhe disinfektimin e tyre, por edhe të pajisjeve dhe të gjithçkaje që duhet për trajtimin e të prekurve.

Planet për përballimin e situatës

Apeloj për plane të detajuara për pandemi  me përgjegjësi të ndara për çdo strukturë dhe individ në nivel qendror dhe vendor.

Plan monitorimi shumë rigoroz dhe të detajuar për funksionimin real dhe përgjegjësi të plotë në terren të të gjitha strukturave.

Për financim të plotë për përmbushjen e nevojave dhe blerjen e të gjithë materialeve mjekësore mbrojtëse për personelin shëndetësor, por jo vetëm atë, por edhe të personelit të sigurisë apo të gjithë personelit tjetër që do të angazhohet në këtë operacion.

Plan veprimi të qartë për strukturat shëndetësore dhe kapacitetet e tyre përballë rrezikut të përshkallëzimit të kësaj pandemie.

Plan të detajuar ekonomik për veprimet financiare mbështetëse që qeveria duhet të ndërmarrë për përballimin e pasojave të pandemisë në ekonomi.

"Jemi në kontakt me përfaqësues të qeverisë"

Ne jemi në çdo moment në kontakte që nga fundi i shkurtit me përfaqësuesit e qeverisë. Edhe nga dita e sotme do ti ndjekim të gjitha shqetësimet që ngrihen. Apelojmë që drejtuesit të shëndetësisë të tërheqin edhe mendimin e ekspertëve që mund të bëjnë një oponencë dhe besojmë që transparenca është e domosdoshme për ta qetësuar situatën.

Lexoni ketu te gjitha lajmet : Shqiperi, konfirmohen dy raste me koronavirus, mbyllen shkollet. Klikoni ketu per te githa te rejat

 

/Ora News.tv/