Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot 69 vjetorin e  miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Në një status në FB, kreu i shtetit shqiptar thotë se fjalët e këtij dokumenti janë aktuale dhe u kërkojnë shteteve dhe qeverive, të rikthejnë jo vetëm kujtesën por edhe vëmendjen dhe energjitë e tyre në respekt parimeve detyruese të saj.

Reagimi i Ilir Metës

Si sot, më 10 dhjetor 1948, u miratua Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, kushtetuta e parë universale në mbarë botën.

“Njohja e dinjitetit të lindur të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themel i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë; mosrespektimi dhe përbuzja e të drejtave të njeriut çon drejt veprimeve barbare, që fyejnë ndërgjegjen njerëzore dhe krijimi i një bote në të cilën njerëzit do të gëzojnë lirinë e fjalës, lirinë e besimit dhe lirinë nga frika dhe skamja është shpallur si aspirata më e lartë e çdo njeriu”, janë fjalët e para të këtij dokumenti thellësisht emancipues, të cilat edhe sot tingëllojnë aktuale dhe u kërkojnë ende shteteve dhe qeverive, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe vetë individëve të rikthejnë jo vetëm kujtesën por edhe vëmendjen dhe energjitë e tyre në respekt parimeve detyruese të saj.

/Ora News.tv/