Brenda 24 orëve, Presidenti Ilir Meta i kthen qeverisë tri ligje

Brenda 24 orëve, Presidenti Ilir Meta i kthen qeverisë tri ligje

Shumica ecën para me nismën për shkarkimin e kreut të shtetit, por edhe Presidenti vijon punën për të ndalur çdo shkelje të kushtetutës në raport me ligjet që  shumica miraton.

Në më pak se 24 orë, Presidenti Meta ka rikthyer për rishqyrtim tri ligje që shumica i ka miratuar me forcën e kartonit.

Ditën e hënë kreu i shteti ktheu për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e bëra në ligjin për rezervat materiale të shtetit, i cili u miratua më 20 qershor në Parlament.

Qeveria kishte argumentuar se synon të thjeshtojë procesin e lëvrimit të mallrave rezervë të shtetit që bëjnë pjesë në grupin A, ku futen prodhimet e arit, argjendit, apo platinit, duke ja hequr këtë të drejtë vendimit të Këshillit të Ministrave siç parashikon aktualisht ligji në fuqi dhe duke ja kaluar Kryeministrit. Për Presidentin kjo është e pajustifikuar ligjërisht.

Në argumentet e Presidentit ndryshimet ligjore dobësojnë mekanizmat e kontrollit mbi këtë proces, si dhe ulin nivelin vendimmarrës mbi mënyrën se si këto mallra do të administrohen dhe qarkullojnë në vijim, duke krijuar kështu një rrezik të shtuar që interesi publik të cenohet.

Pa kaluar shumë orë Presidenti ktheu dhe dy ligje të tjera. I pari ka të bëjë me ligjin për vetëqeverisjen vendore, ku kreu i shtetit argumenton se me ndryshimet që ka vendosur të realizojë nëpërmjet nenit 3 dhe 4 të ligjit nr. 38/2019, po krijon një kompetencë të re për autoritetet vendore.

Ligji tjetër i kthyer nga Presidenti ka të bëjë me privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve.

Sa i përket këtij ligji, presidentin çmon se ky ligj, i paraqitur për shpallje, është një nisëm ligjore e nxituar, jo e plotë dhe fryma e këtij ligji shkon në kundërshtim me kuadrin ligjor aktual në fuqi.

Deri tani të gjitha dekretet e kthyera nga presidenti janë rrëzuar nga shumica dhe janë miratuar sërish pa asnjë ndryshim duke bërë refuzimin e kreut të shtetit nul.

EMISIONET