Kreu i Shtetit Ilir Meta, ka dekretuar faljen e gjobave të vendosura gjatë pandemisë dhe tri ratifikme marrëveshjesh, por ka refuzuar ligjin e mazhorancës për  prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kreu i shtetit argumenton se ky ligj cënon parime të rëndësishme kushtetuese dhe krijon hapësira për të abuzuar me paratë publike.

Teksa ka dekretuar aktin normativ për faljen e gjobave të vendosura gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, dhe tri ratifikime marrëveshjesh, Presidenti Ilir Meta i ka refuzuar mazhorancës ligjin për  prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Presidenti argumenton  se ligji cënon parimet kushtetuese, ndërsa thotë se mungesa e përcaktimit të qartë të fushës së zbatimit të këtij ligji sa i përket objektit  të mallrave dhe shërbimeve , cënon parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike  me pasojë diskriminimin e operatorëve të ndryshëm në treg.

''Krijojnë hapësira për përdorimin e procedurave që përcakton ky ligj, edhe për mallra e shërbime që jo domosdoshmërisht lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe mbrojtjen. Ligji del përtej përmbajtjes së Direktivës, si dhe krijon hapësirë për aplikimin e rregullave të tij për një game më të gjerë mallrash dhe shërbimesh, që jo domosdoshmërisht lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë.''

Ligji thotë presidenti rrezikon  një trajtim jo të barabartë dhe diskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë në treg, ndryshe nga sa deklarohet në objektivat e kësaj nisme në relacionin shoqërues.

''Nën dritën e kërkesave të nenit 11 dhe 18 të Kushtetutës, veçanërisht kur bëhet fjalë për prokurimin e mallrave apo shërbimeve me fonde publike, nevoja e mbrojtes së interesit publik është më e lartë.''

Presidenti thotë se  mungesa e një procedure të hapur, e kombinuar me mospërcaktimin e qartë të fushës së veprimtarisë së këtij ligji, krijon hapësirë që çdo autoritet kontraktor të përzgjedhë paraprakisht, sipas vullnetit të tij, fituesin e një procedure ende të pa shpallur.

/Ora News.tv/