Meta me 5 Ambasadorë çelin sezonin në Skrapar me rafting, valle dhe produkte bio

Meta me 5 Ambasadorë çelin sezonin në Skrapar me rafting, valle

Presidenti Ilir Meta i shoqëruar nga 5 Ambasadorë të huaj mori pjesë në çeljen e sezonit turistik në Berat që nisi me rafting në Osum, valle tradicionale e prodhime bio. Kreu i Shtetit shprehu besimin se zona do të kthehet në një destinacion turizmi në rajon. Çelja e sezonit përkoi me Ditën e Europës, ndaj presidenti Meta përsëriti qëndrimin e tij për çështjet e integrimit.

Me rafting në kanionet e Osumit, valle tradicionale dhe panairin e përvitshëm të produkteve bio, Skrapari çeli sezonin turistik.

Presidenti Ilir Meta, kishte marrë me vete edhe Ambasadorët e Serbisë, Kuvajtit, Kinës, Polonisë e Sllovenisë për ti njohur me bukuritë e zonës që pret të kthehet në një prej destinacioneve më të rëndësishme turistike të rajonit.

Turizmi dhe bujqësia, tha Presidenti, janë bazat për të ardhmen e Skraparit.

Ilir Meta: Kushdo që viziton Skraparin ndihet i impresionuar nga bukuria e zonës, nga traditat e nga mikpritja dhe mezi presin të rikthehen përsëri këtu. Sigurisht që e ardhmja e Skraparit mbështetet fort te turizmi, te bujqësia, te ruajtja e traditave të kësaj zone në të gjitha sferat.Dua të theksoj besimin se Skrapari shumë shpejt do të jetë një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në të gjithë rajonin, sepse vende të tjera investojnë për të krijuar mjedise artificiale për ‘rafting’, kurse ne i kemi unikale dhe të papërsëritshme edhe në krahasim me vendet më të njohura e më të mëdha. 

Por nuk është vetëm kaq: turizmi është i gjithanshëm, është edhe kultura, historia, gjithçka që ka të bëjë me traditat dhe veçantitë e një zone të tillë. Mendoj se duhet t’i kushtojmë vëmendje ruajtjes së këtyre karakteristikave të veçanta që e dallojnë Skraparin nga krahinat e tjera të vendit.

Çelja e sezonit përkoi me Ditën e Europës, ndaj presidenti Meta shpehu bindjen për çeljen e negociatava nësë të gjithë palët do të jenë të fokusuar tek synimi i përbashkët.

Ilir Meta: Sot është edhe Dita e Evropës. Me këtë rast besoj se jemi në një moment pozitiv, i cili me punë dhe me më shumë përqendrim mund të finalizohet me një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian gjatë muajit qershor dhe po të punojmë edhe mëmirë të gjithë së bashku do të jemi edhe më të përqendruar te sfidat, me të cilat ndeshet vendi dhe familjet shqiptare. Jam i sigurt se ky vendim mund të jetë shumë i suksesshëm dhe i tillë duhet të jetë. Kështu që gëzuar 9 Majin! Një sezon të mbarë turistik dhe mbarësi në familjen tuaja!

Bashkë me diplomatët e huaj, kryebashkiakun dhe të zgjedhurit vendorë, Presidenti vizitoi dhe pati bashkëbisedime me pjesëmarrësit në panair.

EMISIONET