Presidenti kthen në Kuvend ligjin për Teatrin Kombëtar (nr.37/2018)  duke e quajtur si ligj që "cenon jo vetëm parimin e sigurisë ligjore, por ai trondit edhe stabilitetin/ligjor aktual, mbi të cilin rregullohen marrëdhëniet e pronësisë dhe zhvillimit të saj, referuar akteve ligjore në fuqi".

Në njoftimin e publikuar në faqen e presidencës thuhet se presidenti ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”. dhe fton Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë në tërësi ligjin

"Presidenti i Republikës çmon se ky ligj, i paraqitur për shpallje, nuk është në përputhje me parimet kushtetuese, aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë aderon apo që  ka ratifikuar; gjithashtu fryma e këtij ligji shkon në kundërshtim me sistemin ligjor aktual, mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare.

Me qëllim respektimin e parimeve kushtetuese dhe për të garantuar që rendi juridik i normave të legjislacionit shqiptar, është i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë dhe askush nuk mund të ketë një trajtim të parapëlqyer nga qeveria nëpërmjet Kuvendit, duke vënë në shfrytëzim dhe tjetërsuar pasuri publike me rëndësi historike të vlerave të artit dhe kulturës të shtetit shqiptar, kam vendosur ta kthej për rishqyrtim në tërësi ligjin nr.37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt ‘Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të teatrit kombëtar”. 

Në kushtet aktuale, kur Gjykata Kushtetuese, nuk ushtron funksionet sublime të saj, të kontrollit kushtetues të normave që nxirren nga qeveria dhe Kuvendi apo të interpretimit të Kushtetutës, roli i Presidentit të Republikës, për të vlerësuar nismat ligjvënëse merr një përgjegjësi tjetër, pasi mbetet institucioni i fundit ku veprimtaria legjislative mund të kontrollohet mbi pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën.

Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit dhe si përfaqësues i unitetit të popullit, bazuar në nenin 85 pika 1, 86 pika 1, 92/a, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ka vendosur që ky ligj duhet të rikthehet edhe një herë në Kuvend, me qëllim që kjo çështje, të marri kohën dhe vëmendjen e duhur, për tu vlerësuar përsëri nga Kuvendi" shkruhet në faqen e presidences

Ligji u miratua në seancën plenare të datës 5 korrik 2018, Kuvendi i Shqipërisë dhe iu dërgua Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje në datën 10 korrik 2018.

Gjithashtu poshte dekretit  renditen dhe 8 argumentet PSE ktheu ligjin? 

  1. Së pari, ky ligj shkel parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.

Pikërisht ligji i miratuar nr. 37/2018, referuar mënyrës sesi ka përcaktuar të trajtojë kompaninë private propozuese, duket se shkel, njëkohësisht, parimin e barazisë përpara ligjit dhe parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve. Në rastin konkret, rezulton se kërkesa për shprehje interesi e paraqitur nga kompania propozuese, është vlerësuar a priori si propozimi më i mirë, duke bërë kështu dhe pranimin automatik të faktit të kryer se ky është propozimi më i mirë, por në rastin konkret, pa asnjë procedurë konkurrimi të hapur dhe transparente. 

Konkretisht, paracaktimi i drejtpërdrejtë me ligj nga Kuvendi i një operatori ekonomik, me të cilin shteti ka zgjedhur të bashkëpunojë për të kryer një punë publike, duke shfrytëzuar dhe tjetërsuar pasurinë publike, pa iu nënshtruar më parë një procesi transparent të hapur konkurrimi, shkel parimin e barazisë përpara ligjit dhe cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë lirinë e veprimtarisë ekonomike.

 Trajtimi preferencial që i bëhet me ligj të veçantë kompanisë propozuese, në raport me shtetasit dhe subjektet e tjerë, që do të dëshironin të ishin pjesë e një konkurrimi të ndershëm për të hartuar qartë propozimet e tyre me qëllim që në të ardhmen t’u krijohej mundësia për të ndërtuar një partneritet me autoritetet publike për zhvillimin e tyre ekonomik, është shkelje e hapur dhe e drejtpërdrejtë e këtyre parimeve kushtetuese.

  1. Së dyti, ligji nr. 37/2018 nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre.

Vlerësimi i kompleksit të Teatrit Kombëtar, duhet të përfshinte patjetër dhe veprimtarinë kulturore, arsimore, arkivin e gjithë veprimtarisë së krijuar ndër vite, ngjarjet, veprimtarinë njerëzore dhe institucionale, pasurinë artistike që ka krijuar, elemente këto që duhet patjetër të merreshin në konsideratë dhe nuk mund të përjashtohen nga vlerësimi i një çështje me kaq rëndësi dhe sensitivitet për trashëgiminë kulturore kombëtare.  

Në asnjë prej dokumenteve që shoqërojnë këtë ligj qoftë relacionin e qeverisë, qoftë në raportet e Kuvendit të komisioneve përkatëse, nuk citohet nëse ekziston ndonjë dokument shkencor i plotë për ti dhënë përgjigje shteruese pyetjes, nëse godinat e Teatrit Kombëtar përbëjnë një trashëgimi kulturore në vlerësim dhe të veprimtarisë që aty është krijuar, apo realizuar ndër vite.


 Argument kryesor i përdorur nga Kuvendi në miratimin e ligjit nr.37/2018 është se vendi ka nevojë për një Teatër të Ri Kombëtar. Është fakt i gjithëpranuar, se Tirana si kryeqyteti i Shqipërisë, ka nevojë për mjedise të reja për artin e kulturën, përfshi këtu dhe ndërtimin e një godine të re për Teatrin Kombëtar.

Për këtë çështje qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës, duhet të tregojnë përkushtimin e tyre për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht pa dëmtuar trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen.

Presidenti Republikës, vlerëson se në lidhje me këto çështje kaq të ndjeshme, të gjitha argumentet duhet të ballafaqohen vetëm me studime shteruese shkencore, teknike dhe ligjore në ruajtje të trashëgimisë dhe vlerave historike kombëtare.

Kompleksi aktual i godinave të Teatrit Kombëtar, sipas mendimit të një pjese të mirë të bashkësisë së aktorëve, të studiuesve, akademikëve, historianëve, arkitektëve, inxhinierëve duhet ruajtur dhe mirëmbajtur, pasi vlerat e trashëgimisë dhe identitetit kulturor që ky kompleks ndërtimor ka krijuar ndër vite, nëpërmjet zhvillimit historik të artit dhe kulturës shqiptare, janë të jashtëzakonshme për identitetin kombëtar.

  1. Së treti, ligji nr. 37/2018 bie ndesh me parimet e Konventës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, miratuar në Paris në vitin 2003, duke bërë kështu që veprimtaria legjislative të bjerë ndesh edhe me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim.

    Mbrojtja e kësaj trashëgimie kërkon që mjediset, në të cilat ajo është krijuar, të forcohen, jetësohen edhe më shumë, pasi janë të lidhura me kujtesën që lidhet me vendin ku ato janë krijuar, pra me godinat, të cilat nëse prishen dhe nuk ekzistojnë më, përbëjnë një rrezik që kujtesa e veprimtarisë kulturore dhe artistike e lidhur me to, të humbasë.
  1. Së katërti, ligji nr.37/2018 cenon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave, apo raporteve të komisioneve në Kuvend, që kanë shoqëruar këtë nismë legjislative, bazë për inicimin e këtij projektligji ka qenë shkresa, e paraqitur nga Bashkia e Tiranës pranë Ministrisë së Kulturës lidhur me shprehjen e interesit për zhvillimin e zonës pranë Teatrit Kombëtar të subjektit “Fusha”, sh.p.k”. Bashkia e Tiranës ka paraqitur shkresën me nr. 6848/1, datë 23.2.2018, pranë Ministrisë së Kulturës për shprehje interesi për zhvillimin e zonës pranë Teatrit Kombëtar të subjektit ku subjekti privat angazhohet që, përveç zhvillimit të pronës në pronësi të tij, të realizojë edhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, në përputhje me një projekt që do të miratohet nga të gjitha strukturat përkatëse. Pra, në rastin konkret, propozimi konsiston në shfrytëzim e gjithë pronës publike, përfshi këtu ndërtesat dhe truallin prej 2100 m², në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Nisur nga fakti që, propozimi i mbërritur kishte për objekt tjetërsimin e pronës publike “truall dhe ndërtesa”, të cilat pjesërisht janë në pronësi të Bashkisë Tiranë, në zbatim të nenit 113 të Kushtetutës, dhe neneve 54, 55 të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ishte e detyrueshme që Kryetari i Bashkisë së Tiranës këtë shprehje interesi të subjektit privat duhet ta parashtronte, paraprakisht, për diskutim përpara Këshillit Bashkiak të Tiranës, i cili kishte dhe ka kompetencën për të shprehur vullnetin për tjetërsimin e sipërfaqes prej 2100 m² në pronësi të Bashkisë Tiranë.

Ndërkohë, në dokumentet parlamentare në lidhje me këtë devijim fillestar, nuk ka asnjë shpjegim apo përpjekje për të marrë vendimin apo qëndrimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, nëse ky këshill dëshironte apo jo, që prona publike në pronësi të Bashkisë së Tiranës të përfshihej në të tilla procedura tjetërsimi, sipas propozimit të paraqitur nga një subjekt privat.

 Në kundërshtim me këtë fakt, qeveria dhe Kuvendi nëpërmjet një procedure të përshpejtuar ka miratuar ligjin nr.37/2018, duke realizuar kështu dhe një cënim të bazës ligjore dhe kompetencave kushtetuese të Këshillit Bashkiak, duke anashkaluar parashikimin e drejtpërdrejtë kushtetues dhe të ligjit organik që rregullon veprimtarinë e organeve të qeverisjes vendore.

  1. Së pesti, ligji nr. 37/2018 vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), plotësimi i të cilave është detyrim parësor për Republikën e Shqipërisë.

    Nisur nga objekti dhe qëllimi i ligjit nr. 37/2018, si dhe mënyra sesi ky ligj rezulton të jetë shqyrtuar nga Kuvendi me procedurë të përshpejtuar, nuk rezulton që kjo nismë ligjvënëse t’i përgjigjet gjendjes reale dhe kushteve objektive të një situate pamundësie reale apo të jashtëzakonshme dhe, në këtë mënyrë, ky ligj bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare që Republika e Shqipërisë ka përcaktuar në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
  1. Së gjashti, propozimi i projektligjit, por edhe vetë ligji i miratuar nr. 37/2018 nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik.

    Mungon një Masterplan për këtë zonë që përcakton mënyrën e zhvillimit urban të saj, mbi të cilin dhe brenda parametrave të tij, do të mund projektohet apo ndërtohet zhvillimi konkret i një hapësire; në rastin konkret, kryesisht pronë publike.  Kërkesa për shprehje interesi nga investitori privat “Fusha sh.p.k”, nuk është shoqëruar me asnjë dokument shterues të autoritetit publik, përmes të cilit të bëhej një analizë ekonomike-financiare mbi leverdinë e tij. Në relacion përmendet shifra 30 milionë euro, e cila referohet si vlera që do të ketë Teatri ti ri Kombëtar, por kjo shifër nuk mbështetet në asnjë dokument (pa asnjë preventiv projekti). Ndërkohë, në relacionin e qeverisë, por dhe raportet e komisioneve, vihet në dukje se vlera e pronës publike që vendoset në dispozicion është 6 milionë euro, por e pashoqëruar me një analizë të qartë dhe të plotë tregu mbi këtë çështje.
     
    Mungesa e një gare ku të paraqiteshin projekte alternative është e pajustifikuar nga ana ekonomike dhe financiare, përveç se është antikushtetuese, siç është arsyetuar më sipër në këtë dokument. Pra, në këtë mënyrë dhe në këto kushte siç është vlerësuar ky propozim, cilido autoritet që ka përcaktuar a priori se propozimi i “Fusha sh.p.k” është alternativa më e mirë e mundshme, nuk mbështetet në asnjë vlerësim objektiv, sidomos në mungesë të një masterplani apo projekti konkret mbi zhvillimin e zonës. 

    Argumenti i përdorur se buxheti i shtetit nuk paguan asnjë “lekë” dhe, për rrjedhojë, ligji nuk mund të vlerësohet në kornizën e ligjit të koncesioneve apo “P.P.P.”, është i gabuar dhe i pambështetur. Edhe në rastin e koncesioneve të HEC-ve apo në sektorin hidrokarbur qeveria nuk kontribuon me “para” nga buxheti i saj, por në “natyrë” me burime natyrore dhe licencat përkatëse, kështu detyrimisht, të gjitha projektet kalojnë përmes tenderit të hapur publik për të marrë ofertën më të leverdisshme.

     

     Ndërkohë dhe argumenti i pamundësisë së shtetit për të parashikuar fonde investimi për Teatrin Kombëtar nuk është bindës. Konkluzionet e arritura për pamundësinë financiare të Ministrisë së  Kulturës, e krahasuar me PBA apo me tavanet buxhetore, është një vlerësim që mbështet vetëm idenë e tjetërsimit të pronës publike tek persona të tretë dhe lë jashtë vlerësimit tërësinë e argumenteve të tjera, që kanë peshën kryesore në këtë çështje. Asnjë dokument, që ka shoqëruar këtë nismë ligjore, nuk argumenton në mënyrë shteruese nëse janë eksploruar të gjitha mundësitë financiare të shtetit për ndërmarrjen e një iniciative tërësisht publike.

    Është i pamjaftueshëm, deklarimi i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që të propozojë një projektligj të kësaj natyre, duke argumentuar në relacion se një institucion përbërës i qeverisë dhe në varësi të tij, nuk ka mundësi financiare, ndërkohë që është po vetë Këshilli i Ministrave, organi vendimmarrës më i lartë politik i ekzekutivit, që përcakton drejtimet dhe programin politik, si edhe mbështetjen buxhetore për realizimin e tyre.  

    Është fakt që në pesë vjetët e fundit qeveria, me të drejtë, i ka kushtuar vëmendje të madhe dhe mbështetje ekonomike të vazhdueshme projekteve të investimeve në projektet e “Rilindjes Urbane” dhe tashmë edhe të “Rilindjes Rurale”, projekte këto që kanë kërkuar angazhime qoftë të fondeve të qeverisë, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, apo donatorëve të ndryshëm.

     

    Nëpërmjet këtyre projekteve, janë rivitalizuar disa qendra historike të qyteteve si: Berati, Shkodra, Tirana, Korça, Kruja, Gjirokastra, etj., që përmbajnë në vetvete trashëgimi kulturore të vendit. Të gjitha këto projekte kanë sjellë zhvillime pozitive, duke përmirësuar qoftë infrastrukturën, pasuritë private, pasurinë publike, nxitjen e turizmit kulturor dhe administrimin me efiçensë të hapësirës publike.

     

    Nisur nga ky tregues, deklarimi i qeverisë se Ministria e Kulturës nuk ka mjete të mjaftueshme ekonomike për Teatrin Kombëtar është i pambështetur, krahasuar me mbështetjen e projekteve të tjera. Pikërisht vendimmarrja që qeveria të lërë jashtë vëmendjes së saj rivitalizimin e Kompleksit të Teatrit Kombëtar, që siç u parashtrua më sipër, përbën kujtesë historike dhe të qenësishme të trashëgimisë kulturore kombëtare, në dukje tregon për një zgjedhje të nxituar në miratimin e ligjit nr. 37/2018

  2. Së shtati, ky ligj nuk është në harmoni me parimet dhe standardet e vendosura tashmë në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë.  

    Qëllimet publike mbi të cilat është zhvilluar nisma propozuese e ligjeve të mësipërme, ka qenë realizimi i veprave publike në fushën e transportit rrugor, ajror dhe detar,si: Rruga e Arbrit, Porti i Karpenit, Aeroporti i Vlorës, të cilat vërtet mund të kërkojnë një angazhim financiar që buxheti i shtetit shqiptar, e ka të vështirë, apo të pamundur për t’i përballuar për një periudhë të caktuar kohe.


    Me gjithë këtë arsyetim, që qeveria e parashtron si argument në mbrojtje të kësaj nisme ligjore, vlen të vihet në dukje se institucioni i Presidentit të Republikës, në vijimësi, ka qenë hezitues në lidhje me natyrën e këtyre akteve, përdorimi i të cilëve mund të jetë në raste të skajshme përjashtimore, kur në mënyrë shteruese janë vlerësuar objektivisht se mundësitë e tjera për të rregulluar një fushë të caktuar, nuk ekzistojnë.  Rezulton se jo vetëm për të tre aktet ligjore të sipërcituara por dhe për akte të tjera të kësaj natyre Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është shprehur me dekret për shpalljen e tyre.

     

    Ndërkohë, që nëpërmjet këtyre ligjeve, Kuvendi ka shprehur vullnetin duke krijuar rregulla të veçanta për ndërtimin me partneritet publik privat të veprave të reja të infrastrukturës që lidhet me portet, rrugët, aeroport, me ligjin nr. 37/2018, synohet hyrja në negociata me propozuesin më të parë, për të tjetërsuar një tokë publike për ndërtimin, nga njëra anë, objekte shumëkatëshe me aktivitet ekonomik privat dhe, nga ana tjetër, shteti merr si këmbim një godinë të re të Teatrit Kombëtar, por duke humbur trashëgiminë kulturore me interes kombëtar dhe ndërkohë që përllogaritja e interesit ekonomik të shtetit për truallin nuk mbështetet në studime të plota, transparente dhe shteruese


  3. Së teti, miratimi i ligjit nr.37/2018 nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt, si dhe dispozitat e këtij ligji krijojnë pasiguri juridike në ushtrimin e të drejtave pronësore qoftë për pasurinë publike, por dhe mbi të drejtat private të pronësisë.

    Referuar dokumentacionit shoqërues të projektligjit të qeverisë dhe Kuvendit, konstatohet se këto organe nuk kanë siguruar më parë një informacion ligjor të plotë dhe sipas ligjit, të regjimit pasuror të pasurisë së paluajtshme shtetërore apo private, që përfshihet në këtë çështje. Sipas parashikimeve të ligjit të miratuar, rezulton se e gjithë prona publike truall apo ndërtesë, e cila ndodhet ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, do të përfshihet në zhvillim, por pa bërë transparente se cila është realisht pasuria publike që preket nga kjo iniciativë ligjore. Siç dihet, brenda kësaj zone ka dhe ndërtesa të tjera me funksion publik. Ndërkohë, mungon dhe harta kadastrale e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në të cilën do të duhej të bëheshin transparente për publikun kufijtë dhe pozicioni gjeografik i pronave që janë propozuar për tjetërsim dhe për tu përfshirë në këtë iniciativë sipas kërkesës për shprehje interesi.

     

    Referuar dokumenteve në dispozicion, rezulton se organi publik që ka shqyrtuar nismën nuk ka siguruar një informacion të plotë ligjor dhe hartografik nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mbi bazën e të cilit do të mund të vlerësohej nëse mbi godinat, truallin rezulton i regjistruar ndonjë kufizim, e drejtë parablerjeje, peng hipotekor, apo marrëveshje kufizuese, që mund të sjellë pasoja në realizimin e projektit. Kjo është një mangësi  në vlerësimin e këtij projektligji, pasi pa ditur me përpikmëri të drejtat e pronësisë publike apo/dhe private qoftë mbi truallin dhe ndërtesat, kufizimet e ndryshme që mund të rëndojnë mbi to, nuk ka sesi të vlerësohet hyrja a priori në një procedurë të tillë negocimi dhe të vlerësohet rezultati i tyre.

     

    Kjo çështje lidhet gjithashtu edhe me një fakt të bërë publik: origjina e pronës truall, mbi të cilin është ndërtuar kompleksi i Teatrit Kombëtar, i cili sipas informacionit të bërë publik, rrjedh nga një kontratë shitblerjeje, e vitit 1938 nga familja Libohova si shitës, tek përfaqësuesi shtetëror i kohës si blerës ku, vullneti i pronarëve privatë, në momentin e shitjes së pronës truall (viti 1938) ka qenë shitja me destinacion ndërtimin dhe përdorimin për veprimtari kulturore nga shteti. Pikërisht përfshirja sot me ligj e gjithë sipërfaqes së truallit në një tjetërsim të kësaj natyre me një subjekt të tretë dhe për interesa kryesisht private, mund të krijojë rrezikun e ngritjes së pretendimeve civile mbi rikthimin e sendit, apo të drejtave të zhvillimit mbi të, çka do të përbënte një pasiguri juridike për mbrojtjen e interesave shtetërorë duke krijuar hapësirë për cenimin e të drejtave të pronës publike.

     

    Për më tepër, në zonën e trajtuar nga ligji nr.37/2018 mund të rezultojnë të drejta private pronësie mbi ndërtesa apo truall, gjë e cila duhet të ishte vënë në dukje dhe trajtuar në këtë propozim përpara se ky t’i paraqitej qeverisë dhe Kuvendit. Përfshirja a priori me detyrim nën një zhvillim të tillë nëpërmjet ligjit, përbën në vetvete cenim të sigurisë juridike. Kjo pasiguri buron nga fuqia e drejtpërdrejtë që Kuvendi, nëpërmjet ligjit të veçantë, detyron zhvillimin e një zone të caktuar edhe mbi të drejta pronësie private, por jo për interesa publike, por kryesisht për interesa ekonomike private.

     

    Pra rezulton që, përveç se një nga pronarët e pasurisë publike siç është Këshilli Bashkiak i Tiranës, është shmangur në përcaktimin e këtij vullneti, por dhe pronarit/ët privatë që mund të ekzistojnë në këtë zonë, u është imponuar një mënyrë zhvillimi sipas shprehjes së interesit të një partneri privat.

     

    Mbrojtja e veçantë që parashikon neni 41 i Kushtetutës, në të cilën parashikohet se e drejta e pronës private është e garantuar dhe se ligji mund të parashikojë shpronësime ose kufizime në ushtrimin e së drejtës së pronës vetëm për interesa publikë, rezulton e cenuar, pasi çdo pronar privat që posedon një titull pronësie në zonën që përfshihet në zhvillim, është i detyruar me ligj ta përfshijë pronën e tij për zhvillim të detyruar sipas ligjit nr. 37/2018. Në këtë mënyrë rezulton se ligji i miratuar krijon pasiguri juridike/ligjore. Gjykata Kushtetuese, në shumë vendime të saj, ka arsyetuar: “Parimi kushtetues i shtetit të së drejtës do të konsiderohet i dhunuar, nëse mohohen ose shkelen siguria ligjore, stabiliteti ligjor dhe mbrojtja e pritshmërive të ligjshme. Për të kuptuar dhe zbatuar drejt këtë parim, kërkohet që ligji në një shoqëri të ofrojë siguri, qartësi dhe vazhdimësi, në mënyrë që individët t’i drejtojnë veprimet e tyre në mënyrë korrekte e në përputhje me të… . (shih vendimin nr. 36, datë 15.10.2007 të Gjykatës Kushtetuese).

    Pak orë para se të publikohej në faqen zyrtare të presidencës dekreti, kreu i PD-se deklaroi se nëse Meta do të dekretonte ligjin do ishte pjese e grushtit te shtetit 


/Ora News.tv/