Për 60 minuta Presidenti i Republikës, Ilir Meta është pyetur në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me kallëzimin që ai ka bërë ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani. 

Në përfundim, në një deklaratë për mediat, kreu i shtetit tha se ky është një rast tepër flagrant, duke shpresuar që prokuroria të mos jetë nën presionin politik.

Ilir Meta:  Mund t'ju them se jam këtu në përgjigje të ftesës nga institucioni i prokurorisë pas kallëzimit penal që unë kam bërë për shtetasin Ardian Dvorani, për dy vepra të qarta penale të përmbushura me dashje plotësisht  prej tij, "shpërdorim detyre" dhe "përvetësim të kompetencës dhe të titullit shtetëror".

Kemi dhënë sqarime të mëtejshme dhe plotësuese në vijim të provave dhe dokumenteve që kemi dorëzuar së bashku me kallëzimin tonë penal.

Rasti është tmerrësisht flagrant. Unë shpresoj që prokuroria të mos jetë nën presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm dhe durim. Kjo është një provë e madhe për të gjithë të ardhmen e reformës në drejtësi.

Mund t'ju them se kushtetuta e thotë qartë në nenin 4 pika 2 të saj se kushtetuta është ligji më i lartë në Shqipëri dhe pika 3 thotë se dispozitat kushtetuese zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë përveç rasteve kur kushtetuta parashikon ndryshe.

Kreu i shteti tha se provat janë të mjaftueshme, që prokuroria të veprojë ndaj Dvoranit.

Ilir Meta: Lidhur me këtë çështje, që është një çështje madhore sepse bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese, dua ti siguroj qytetarët shqiptarë se presidenti ka zbatuar dispozitat kushtetuese.  Të gjitha provat e depozituara deri tani janë të mjaftueshme që prokuroria të veprojë ndaj Dvoranit. Ne nuk bëjmë presione, pavarësisht se çështja është e rëndë sepse ka vënë në pikëpyetje funksionimin e shtetit të së drejtës, prokuroria ka pasur edhe çështje të tjera që kanë qenë të lidhur me tërmetin e 26 nëntorit, por kjo është një çështje që askush nuk mund ti shmanget sa i takon shterimit të saj të plotë. Ne jemi të qetë dhe të duruar dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me prokurorinë pasi ky është një rast tepër tepër flagrant.

Jemi në gjendje të jashtëzakonshme për shkak tërmetit, por kreu i shtetit tha se do të vazhdojë me argumente dhe spote ndërgjegjësuese për rëndësinë që kushtetuta ka.

Ilir Meta: Pa dashur të vazhdoj më tej me këtë çështje sepse vendi dhe shoqëria jonë ndodhe të gjendje të jashtëzakonshme për shkak të tërmetit. Por mund t'ju them se ne do të vijojmë t'ju komunikojmë me argument. Të ndërgjegjësojmë rëndësinë e madhe që ka mbrojtja e kushtetutës . Sapo të kthehem në zyrë do të autorizoj zëdhënësin tim Blushi për të publikuar spotin e parë. Të gjithë duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e Kushtetutës.

Padia 

Kreu i Shtetit dorëzoi kallëzimin ndaj Dvoranit në 19 nëntor në 3 prokurori, por prokuroria e përgjithshme dhe e krimeve shpallën moskompetencën pasi veprat penale për të cilat është kallëzuar Dvorani "shpërdorim detyre" dhe "përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore" është kompetente Prokuroria e kryeqytetit.

Në padinë penale Presidenti Meta ka kërkuar të administrohen një sërë provash materiale deri tek audioregjistrimi i mbledhjeve të zhvilluara, pasi sipas presidentit nga 30 mbledhje të zhvilluara nga KED vetëm një prej procesverbaleve  është zbardhur. Zoti Dvorani thotë Meta ka përvetësuar vendimmarrjen kolegjiale për Arta Vorpsin.

Të gjitha lajmet për Dvoranin


/Ora News.tv/