Nga Presidenca, Kreu i Shtetit Ilir Meta deklaroi se nga sot ai është palë me popullin shqiptar dhe referendumin në përgjigje të akuzave të mazhorancës se po mban anën e opozitës.

Pikënisje do të jetë 8 dhjetori, ditë kur Meta ka thirrur qytetarët në një tubim mbarëpopullor dhe nga ku sipas tij nis një epokë e re.

Me tone të ashpra ai u shpreh ndaj klasës politike, duke e akuzuar për lojëra në kurriz të qytetarëve.

Nuk kurseu as etiketimet ndaj parlamentit.

Ilir Meta: Me 8 dhjetor do të jap një platformë më të qartë. Bëhet fjalë për të filluar një epokë të re, epoka e partive përfundoi. Nuk mund të prodhojnë më as dialog politik të qëndrueshëm, as të besueshëm, as të bashkohen për interesin publik, kombëtar.Gjithmonë do të bëjnë lojëra të tilla dhe gjithmonë do t'ja vënë fajin njëra-tjetrës dhe gjithmonë këtu do të do të vazhdojë të pasurohet një grup oligarkësh dhe bandat do  të qeverisin rajonet sikundër po ndodh.

Kjo është histori që ka përfunduar. Shqipëria duhet dhe do të hyjë patjetër në epokën e referendumit. Kjo klasë politike dështoi në mënyrën më absurde dhe më të turpshme, e ka larguar vendin nga Europa siç nuk ka ndodhur kurrë më parë. Shikoni ku ka qenë në vitin 2000 dhe ku është sot, shikoni ku janë Serbia dhe Mali i Zi.

Kjo gjë nuk mund të vazhdojë më kështu. Populli shqiptar e ka vendosur vetë me referendum të drejtën e referendumit, kjo e drejtë do të rikthehet dhe do të bëhet për zbatim shumë shpejt e detyrshme nga vetë populli shqiptar që do të zgjohet anembanë Shqipërisë. Nuk ka rëndësi nëse janë socialistë, demokratë, apo pa parti. Partitë dështuan.

Shikoni dele-parlamentin, me këtë do ecë Shqipëria para, do bëjë reforma? Nuk vazhdohet kështu. Është rrëzuar gjithë sistemi llogaridhënës. Shqipëria po shkon tatëpjetë dhe ne do ta ndalim këtë duke ja dhënë mundësinë popullit.

Populli do të bëjë zgjidhje shumë më të mençura se partitë. Do ti ndaj çështjet që do të hidhen në referendum me votën e tij dhe të gjithë do ti nënshtrohen duke filluar nga unë i pari si President.

/Ora News.tv/