Presidenti, Ilir Meta, priti në orën 09:00 të paradites së të martës (19 nëntor 2019) partitë opozitare të kryesura nga Lulzim Basha, për ti njohur me atë që ai i quan prova tronditëse të ndërhyrjes flagrante të kryeministrit në procesin e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Në takim është diskutuar dhe për reformën zgjedhore, ndërsa Presidenti ka përshëndetur hapat e opozitës, përfshirë kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Nga ana e tij, Lulzim Basha, tha se platforma e opozitës për reformën zgjedhore do të bëhet publike javën e ardhshme.

Në orën 09:00 të së martës, përfaqësuesit e partive opozitare jashtë parlamentit,  të kryesuara nga kryedomokrati Lulzim Basha, mbërritën në zyrën e Kreut të Shtetit, për të diskutuar mbi situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese.

Takimi zgjati rreth 1 orë e 30 minuta, ndërsa Presidenca shpërndau një njoftim për mediat,  ku thuhet se kreu i shtetit Ilir Meta ka shprehur shqetësim për mungesën e  sundimit të ligjit, ndërsa ka deklaruar:

Ilir Meta:  Gjatë takimit me Presidentin Meta u njohëm me prova tronditëse të asaj që kemi ditur dhe thënë edhe më përpara, të ndërhyrjes flagrante të kryeministrit të vendit në procesin e reformës në drejtësi dhe, konkretisht, në procesin e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.   Këto prova dhe fakte tronditëse vërtetojnë se qëllimi i vetëm i këtij kryeministri dhe kësaj qeverie është jo zbatimi i reformës në drejtësi, por kapja e institucioneve të drejtësisë dhe, në veçanti, kapja e Gjykatës Kushtetuese.

Manipulimi i procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke synuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të Presidentit të Republikës për të bërë emërimet e tij, është skandali më flagrant i Reformës në Drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës. Nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues.

Diskutimi është përqëndruar edhe në reformën zgjedhore, ku Presidenti ka përshendetur hapat që ka ndjekur opozita.

Kreu i Shtetit ka mbëshetur edhe zgjedhjet e parakohshme, duke e vlerësuar Kuvendin ilegjitim.

Ilir Meta: Përshëndes qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione.

"Prova tronditëse të ndërhyrjes së kryeministrit për kapjen e drejtësisë"

Në radhët e opozitës për takimin me presidentin, foli Lulzim Basha, i cili  pas një takimi që ai zhvilloi me Ministren e Jashtme të Suedisë,  tha se opozita kërkon  vënien në funksionim të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të SPAK dhe BKH sipas Kushtetutës dhe jo sipas planeve, anktheve dhe problemeve korruptive të qeverisjes aktuale.

Lulzim Basha: Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar qëndrojnë për një reformë në drejtësi sipas Kushtetutës. Ne kërkojmë vënien në funksionim të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të SPAK dhe BKH –së sipas Kushtetutës dhe jo sipas planeve, anktheve dhe problemeve korruptive të qeverisjes aktuale

Kryedemokrati lajmëroi gjithashtu se deri në fillim të muajit dhjetor opozita do të konkretizojë  me amendamente  ndërhyrjet  në reformën zgjedhore, ndërsa sipas tij  zgjidhja e krizës kalon vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe vendore.

Lulzim Basha: Javën e ardhshme, Opozita e Bashkuar do të konkretizojë produktin e saj, që është dokumenti strategjik për reformën zgjedhore, në amendamente në të gjitha ligjet dhe ndërhyrjet e nevojshme në këto ligje, pra propozimin e plotë për refomën zgjedhore, ndërkohë që, nga ana tjetër, kemi patur refuzim të dialogut, kushtëzim të dialogut dhe sabotim të reformës zgjedhore.

Ky është një film i parë dhe i stërparë. Qeveria vepron në kundërshtim me interesin e shqiptarëve dhe, pastaj, përpiqet t’ia hedhë fajin opozitës. Ne nuk mund ta pranojmë këtë. Për opozitën propozimet do të jenë gati jo më vonë sesa fillimi i dhjetorit.

Për opozitën dhe për shqiptarët nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet kushtetuese vendore në të njëjtën ditë si rrugëdalja e vetme nga kriza.

Takimi 90 minuta

Burimet brenda takimit konfirmuan se opozita po punon për një draft të reformës zgjedhore që pritet të prezantohet javën e ardhshme.

Gjithashtu në takimin Metës me Bashën dhe aleatët e PD u diskutua edhe për shpërndarjen e Parlamentit. 

Pas takimit me Presidentin Ilir Meta, kreu i opozitës Lulzim Basha tha në një deklaratë për mediat se e vetmja zgjidhje për krizën është mbajtja e zgjedhje parlamentare dhe vendore në të njëjtën ditë.

Kush ishte ne takim

Takimi u mbajt në Presidencë, nisi në orën 09:00 dhe përfundoi në orën 10:30. PD përfaqësohej nga Lulzim Basha, LSI nga Petrit Vasili, PDIU nga Mesila Doda, LZHK nga Dashamir Shehi, PDK nga Nard Ndoka, PBDNJ nga Vangjel Dule, PAA nga Agron Duka. Përfaqësuesit  e opozitës nuk preferuan të komentojnë pas takimit.




Pse takimi

Nisma e presidentit për takim erdhi pas situatës së krijuar me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Nderkohe Presidenti, Ilir Meta,do të depozitojë sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kallzimin penal ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Meta ka ngritur dy akuza ndaj Dvoranit, shpërdorim detyre dhe përvetësim i titullit, apo detyrës shtetërore gjatë procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

LEXO EDHE: Opozita në një tryezë me Sorosin? Basha pranon ftesën e Metës për diskutim 



/Ora News.tv/