Presidenca i është përgjigjur akuzave dhe reagimeve të Partisë Socialiste, pas dekretit për të  kthyer për rishqyrtim në kuvend, ligjin për teatrin e ri.  

Në njoftimin e zëdhënësit të Presidencës, thuhet se kreu i shtetit Ilir Meta, po ndjek reagimet politike pas vendimit, ndërsa shpreh keqardhjen për të gjitha deklaratat që i cilëson emocionale e të pathelluara. 

Bashkangjitur me reagimin, presidentit liston edhe një herë argumentet pse refuzoi ligjin, ndërsa fton të gjithë të shqetësuarit që ti lexojnë.

Reagim i Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, Tedi Blushi

Presidenti i Republikës, duke ndjekur reagimet politike pas publikimit të dekretit për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, shpreh keqardhjen për reagimet sipërfaqësore, emocionale e të pathelluara.

Presidenti i Republikës i fton të gjithë të shqetësuarit për ndërtimin e një teatri të ri të kenë durim e të lexojnë me objektivitet dekretin, të gjithë arsyetimin, argumentet dhe konstatimet ligjore të cilat bazohen vetëm në Kushtetutën e Shqipërisë, konventat e marrëveshjet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë, detyrimet që lindin prej tyre dhe legjislacionin tonë në fuqi.

Dekreti i Presidentit të Republikës i mbështet argumentet vetëm mbi dokumentacionin zyrtar bashkëshoqërues të ardhur nga Kuvendi i Shqipërisë.

Presidenti i Republikës është i bindur se, nëse të gjithë do të udhëhiqen vetëm nga interesi kombëtar dhe publik, jo vetëm garantohet ruajtja e kompleksit teatror e restaurimi i tij si pjesë e trashëgimisë kombëtare, por edhe garantohet ndërtim i teatrit të ri në mënyrën më transparente e më të përgjegjshme, duke respektuar plotësisht legjislacionin aktual si dhe duke shmangur çdo konflikt artificial.

 Me këtë rast Presidenti i Republikës fton të gjithë të interesuarit për zgjidhje të lexojnë me vëmendje në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës:http://president.al/njoftim-per-media/ dekretin, arsyet e kthimi për rishqyrtim në Kuvend të këtij ligji.  

Në dekretin refuzues presidenti argumenton se ligji për teatrin e ri, nuk është në përputhje me parimet kushtetuese, aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë aderon apo që ka ratifikuar; dhe shkon në kundërshtim me sistemin ligjor aktual, mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare.

Përmes reagimit kryetari i bashkise, Veliaj tha se kthimi i ligjit ishte një zhgënjim. 

Bushati komenton nga SHBA kthimin e ligjit për Teatrin: Kuvendi do flasë në shtator


/Ora News.tv/