Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta zbulon arsyen e refuzimit të parë për dekretimin e Sandër Lleshajt në postin e Ministrit të Brendshëm herën e parë.

Meta e vlerësoi emërimin e tij si një problematikë themelore kushtetuese. Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti apo veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë dhe as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra.

Për këtë aryse, Presidenti i dërgoi një letër me 14 pyetje Ministrisë së Mbrojtjes ku në thelb është i shqetësuar vetëm për një fakt: A është apo jo Gjeneral Sandër Lleshi ende ushtarak aktiv, gjë e cila sipas nenit 69 të Kushtetutës e pengon për t’u zgjedhur deputet si një kriter që duhet të plotësojë për të qenë ministër.

Përmes kërkesës që mban datën 9 nëntor, Presidenti Ilir Meta kërkon përgjigje shterruese nëse procesi gjyqësor i kandidatit për ministër ka përfunduar dhe çfarë procedurash ka ndjekur ministria e Mbrojtjes për të zbatuar vendimin e gjykatës për të rikthyer ose jo Sandër LLeshaj në pozicionin e mëparshëm si zv/ shef i Shtabit të Forcave të Armatosura dhe për ta shpërblyer  në bazë të vendimit të gjykatës

"Duke qenë se kandidatura e Sandër Lleshaj vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku ministri si funksion kushtetues është autoritet civil në zbatim të neneve 69, 103, 167/1 të Kushtetutës emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm paraqet një problematikë themelore kushtetuese. Kjo sepse ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti apo veprimtari politike, ndërkohë që një ushtarak i shërbimit aktiv nuk mund të kandidojë dhe as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra."

Kreu i shtetit sqaron në këtë kërkesë, se kryeministri ishte vënë në dijeni edhe herën e parë mbi këtë ndalim kushtetues, e megjithatë kryeministri nuk ka dhënë asnjë shpjegim as shkresën e ridërguar për dekretim të zotit Lleshaj, dhe që mban nr 5211 datë 9.11,2018.  

"Megjithëse kryeministri është vënë në dijeni mbi këtë ndalim kushtetues sërish edhe në këtë propozim të ri, nuk është dhënë asnjë shpjegim, informacion si, dhe nuk është mbajtur asnjë qëndrim mbi këtë çështje dhe për pasoja të tjera që mund të lidhen me të. Për më tepër që në njoftimin fillestar të kryeministrit në rrjetet sociale të kryeministrit të datës 27 tetor 2018 por edhe në dale të tij publike Sandër Lleshaj propozohet për emërim si ministër i Brendshëm duke e trajtuar atë me gradën "Gjeneral"

Presidenca shton se shkresa e dytë e kryeministrit eshte shoqëruar me një relacion shpjegues, që janë dy fletë të panënshkruara. 

"Në këto kushte presidenti i Republikës në zbatim të nenit 92/h vlerëson të domosdoshme paraqitjen e një informacioni shterues mbi pyetjet e parashtruara si dhe të dhëna me shkrim". Në kuadër të këtij informacioni shterues për pozitën e ushtarakut Sandër Lleshi (Lleshaj) presidenca kerkon pergjigje per 14 pyetje

Duke iu referuar shkresës së firmosur të kryeministrit të bërë publik në twitter për të emëruar Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm ku i drejtohej me titullin Gjeneral, Presidenti Ilir Meta kërkon përgjigje shterruese edhe për praktikat që janë ndjekur për sistemimin e zotit Lleshi në një detyrë të ngjashme me atë që mbante në raport me gradën Gjeneral, dhe nëse i është bërë rekurs nga ministria vendimit të gjykatës i cili ishte në favor të zotit Lleshi.

Gjithashtu Presidenti me anë të letrës, kërkon informacion nëse ka patur ndonjë praktikë që njeson detyrën e zotit Lleshi si këshilltar për sigurinë i kryeministrit përsa i takon rikthimit në një detyrë tjetër në përputhje me gradën që mban, sipas vendimit të gjykatës. Në pyetjet e Presidentit nuk mungojnë dhe detajet ku i kërkon kryeministrit nëse Sandër Lleshi ka ndërruar apo jo mbiemrin duke qenë se në vendimet gjyqësore mbiemri i tij figuron Lleshi ndërsa në shkresën e kryeministrit figuron mbiemri Lleshaj.

Rama i keqardhur i propozon dy zgjidhje

Menjëherë pas publikimit të kësaj letre, edhe kryeministri Edi Rama, në twitter, ka vënë në dispozicion të publikut përgjigjen e kthyer për Presidentin. Rama i ka veshur kësaj historie notat e një keqkuptimi i cili mund të ishte evituar që në fillim. Kjo sepse tashmë që Presidenti ka shqetësimin e detyrës ushtarake aktive të Sandër Lleshit, në drejtim të tij ka mbërritur përveç përgjigjes, edhe një letër ku vetë zoti Lleshi kërkon çdekretimin e gradës së tij Gjeneral.

" Nuk jua fsheh dot se u ndjeva i keqardhur për faktin që nëse ju do t’i kishit  shtruar qysh ne krye të herës pyetjet që ajo shkresë përmban lidhur me statusin e gjeneral Sandër Lleshajt, me siguri s’do të kishim përjetuar krisjen e “herës së parë”, në procesin e dekretimit të ministrit të Brendshëm"

Lexoni letren e plote te kryeministrit

Sander Lleshaj heq dore nga karriera ushtarake

Ndërkohë letra e Sandër Lleshajt për Presidentin Meta përmban shpjegimin e gjithë historisë gjyqësore të tij pas lirimit nga detyra dhe deri tek fitimi i procesit. Në fund të këtij procesi, Lleshi shprehet se nuk ka marë titullin ushtarak aktiv si dhe shprehet i gatshëm të ushtrojë funksionet e tij si ministër i Brendshëm

"Me pranimin e këtij propozimi, i cili lidhet në mënyrë të pandashme me mosushtrimin e funksionit të ushtarakut, unë kam vendosur edhe heqjen dorë nga karriera ime ushtarake, pavarësisht nga mundëia që vendimi i gjykatës më ka dhënë"

Edhe nëse Sandër Lleshi do të ishte gjeneral aktiv, ekspertët e kryeminsitrisë mendojnë se Presidenti mund ta çdekretonte pasi Sandër LLeshaj të ishte bërë ministër. Në fund të letrës, kryeministri Rama sqaron presidentin se adresimi i tij si Gjeneral për zotin Lleshi, ka të bëjë me titullin që mbetet pas gradës së një personi me një karrierë të shkëlqyer

14 pyetjet e Metes per Sander Lleshaj

-Çfarë veprimesh proceduriale dhe materiale janë kryer nga Ministria e Mbrojtjes apo Shtabi i Përgjithshëm për ekzekutimin e Vendimit të formës së prerë nr. 5137, datë 07.12.2017 të Gjykatës së Apelit Administrativ, vendim ky që ka trajtuar pretendimet e z. Sandër Lleshi.

-A ka ushtruar Ministria e Mbrojtjes të drejtën e kundërshtimit, duke ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë kundër Vendimit nr. 5137, datë 07.12.2017 të Gjykatës së Apelit Adimistrativ dhe nëse po, cilat janë arsyet që Ministria e Mbrojtjes ka kundërshtuar këtë vendim gjyqësor të formës së prerë?

- Nëse po, lutemi paraqitjen e kopjes të rekursit të paraqitur nga Ministria e Mbrojtjes në Gjykatën e Lartë.

3- A jeni në dijeni nëse z. Sandër Lleshaj, ka ushtruar të drejtën e kundërshtimit duke paraqitur Kundër Rekurs, për të kundërshtuar Rekursin e paraqitur nga Ministria e Mbrojtjes në Gjykatën e Lartë dhe nëse po, cilat janë arsyet dhe pretendimet të parashtruara në këtë kundër-rekurs të z. Sandër Lleshi që ka kundërshtuar rekursin e Ministrisë së Mbrojtjes?

- Nëse po, kërkojmë paraqitjen e një kopje të këtij akti.

4- A ka kryer Ministria e Mbrojtjes, apo Shtabi i Përgjithshëm i FA, veprime për ekzekutimin e këtij vendimi të Gjykatës së Apelit Administrativ, përsa i takon trajtimit financiar sipas dispozitivit të vendimit, ku gjykata urdhëron: “Detyrimin e palës së paditur Ministria e Mbrojtjes t’i paguajë paditësit Sandër Lleshi pagën nga data 29.05.2013, deri në datën e sistemimit të paditësit në detyrën e Zv/Shefit të Shtabit të Përgjithsëm të FA, apo në një detyrë tjetër në përputhje me gradën që mban. Cili është niveli ekzekutimit të këtij vendimi gjyqësor deri në ditët e sotme ?

5-A ka qenë në dijeni ministria e Mbrojtjes gjatë shqyrtimit gjyqësor se z.Sandër Lleshaj, ndërkohë që zhvilloheshin proceset gjyqësore, ishte i emëruar si Këshilltar i Kryeministrit ?

6- A është ekzekutuar nga Ministria e Mbrojtjes vendimi i Gjykatës përsa i takon shlyerjes së shpenzimeve gjyqësore?

7- A ka parashtruar z.Sandër Lleshaj, ndonjë kërkesë personale apo nëpërmjet shërbimit Përmbarimor për vënien në ekzekutim të vendimit të Gjykatës, dhe nëse po, lutemi përcjelljen e një kopje të kësaj kërkese së bashku me dokumentacionin e plotë.

8- A ka parashtruar z. Sandër Lleshaj, ndonjë kërkesë në lidhje me trajtimin e tij financiar në zbatim të vendimit të Gjykatës dhe taksimin e kësaj të ardhure, nisur nga fakti që ai trajtohej financiarisht me pagë dhe si Këshilltar i Kryeministrit ?
 Nëse po, cili është qëndrimi që është mbajtur në lidhje me këto kërkesa, dhe cila është zgjidhja që ka dhënë Ministria e Mbrojtjes apo Shtabi i Përgjithshëm i FA, në lidhje me këtë çështje ?

9- Si ka vlerësuar dhe si parashikon Ministria e Mbrojtjes ekzekutimin e vendimit gjyqësor me të cilin Gjykata e Apelit Administrativ, urdhëron: “Kthimin e paditësit Sandër Lleshi në detyrën e Zv/Shefit të Shtabit të Përgjithsëm të FA, apo në një detyrë tjetër në përputhje me gradën që mban.

10- A ka patur ndonjë komunikim apo praktikë administrative shkresore midis Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm me institucionin e Kryeministrit në funksion të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ nr.5137, datë 07.12.2017, përsa i takon rikthimit në një detyrë tjetër në përputhje me gradën që mban, për të njëhsuar funksionin që z. Sandër Lleshaj mbante si Këshilltar i Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare që prej vitit 2013 e në vijim në zbatim të vendimit të gjykatës?

Nëse po, cili është qëndrimi që është mbajtur nga institucionet respektive dhe vënien në dispozicion të akteve respektive.

11- A ka patur ndonjë komunikim, apo praktikë të propozuar nga Ministria e Mbrojtjes me institucionin e Presidentit të Republikës, në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ nr.5137, datë 07.12.2017?

12 -Me çfarë akti z. Sandër Lleshaj, ka kaluar në lirim, apo në rezervë në Forcat e Armatosura, pas daljes së vendimit nr. 5137, datë 07.12.2017 të Gjykatës së Apelit Administrativ dhe përpara paraqitjes së propozimit të Kryeministrit, për emërimin e tij në detyrën e ministrit të Brendshëm ?  

    Nëse e dispononi, lutemi vënien në dispozicion të këtij akti.  

13 -Cili është vlerësimi i ministrisë së Mbrojtjes, për zbatimin në tërësi të vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ nr. 5137, datë 07.12.2017 tashmë pas emërimit të z. Lleshi si Zëvendësministër i Brendshëm, apo në rast të emërimit të tij si ministër i Brendshë

14- Në kërkesën e Kryeministrit propozohet që z. Sandër Lleshaj të emërohet ministër i Brendshëm. Ndërkohë konstatohet se në vendimet gjyqësore mbi këtë ushtarak, të dhënat personale të tij paraqiten me mbiemër Lleshi.

Lutemi sqarimin e këtij fakti, kur janë bërë këto ndryshime në të dhënat personale dhe si është reflektuar kjo në dosjen personale të këtij ushtaraku?








/Ora News.tv/