Marrëveshja për reformën zgjedhore duket se ka marrë edhe "bekimin" e Partisë Popullore Europiane (PPE), e cila ka uruar këtë konsensus. Gjithashtu ajo u ka kërkuar palëve që të miratojnë sa më shpejtë këtë draft në mënyrë që të bëhen përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme.

Përmes një postimi në Facebook, eurodeputeti gjerman Michael Gahler i tërhoqi vëmendjen mazhorancës që çdo tentativë për të bërë ndryshime të tjera të njëanshme do të jenë kundër konsensusit.

Postimi i plotë në Facebook

Ne, grupi i Partive Popullore Europiane në Parlamentin Evropian, urojmë palët në Këshillin Politik shqiptar, në të cilin, pas Marrëveshjes së 5 Qershorit, u ra dakord për paketën e amendamenteve për zgjedhjet. Ne vlerësojmë konsensusin mes palëve, që përfshinte Partinë Socialiste në pushtet dhe Partinë Demokratike (anëtare e PPE) dhe presim miratimin e shpejtë zyrtar të kësaj pakete. Çdo deklaratë nga partia në pushtet për ndryshime të tjera të njëanshme shkon kundër konsensusit të arritur.

 Ky konsensus ka qenë një kusht kryesor i BE për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Ai duhet të ndiqet nga zbatimi i sinqertë i Ligjit Zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale.  

Në mars, Këshilli Evropian, kërkoi që Shqipëria të qartësojë ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të vitit 2019. Fakti që bashkitë në Shqipëri drejtohen nga një parti e vetme, e kundërshton nocionin themelor të një demokracie pluraliste.

 Këto janë tre kushte të rëndësishme nga 15 që Shqipëria duhet të përmbushë përpara fillimit të negociatave të anëtarësimit në BE.

 Opinionet e kohëve të fundit të Komisionit të Venecias për lirinë e medias dhe gjyqësorit duhet të zbatohen plotësisht në frymë dhe në gërmë, në mënyrë që të korrigjojnë devijimet e mëparshme dhe të ecet përpara. 

 Gjithashtu, duhet të fillohet ndjekje penal lidhur me akuzat e blerjes së votave në zgjedhjet e kaluara, përfshirë ato në Dosjet 184 dhe 339.

 Të 15 Kushtet u vendosën në Mars nga Këshilli Evropian dhe u konfirmuan muajin e kaluar në Parlamentin Evropian nga një shumicë e madhe ndërpartiake.

 Grupi i Partive Popullore Europiane vazhdon të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE.


/Ora News.tv/