Post-Brexit, nisin negociatat në Bruksel

Post-Brexit, nisin negociatat në Bruksel

Në Bruksel ka nisur raundi i parë i negociatave mes BE-së dhe Britanisë së Madhe për të ardhmen e raporteve pas Brexit. Palët flasin me pozitivitet por qëndrojnë ndasitë për problematika të caktuara.

Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe kanë nisur negociatat për partneritetin pas Brexit.

Takimet po mbahen në Bruksel deri ditën e enjte mes kryenegociatorit të BE-së, Mishel Barnie, dhe atij britanik, Dejvid Frost, i shoqëruar nga 100 zyrtarë të tjerë.

Raundi i parë do të fokusohet në 11 fusha specifike si tregtimi i mallrave, shërbimet, energjia dhe transporti.

"Po hyjmë në këto negociata me pozitivitet. Ne e duam një partneritet ambicioz dhe të drejtë," njoftoi politikani francez, Barnie.

Mes palëve ekzistojnë ende ndasi për çështje si peshkimi, aviacioni, bashkëpunimi gjyqësor dhe më thelbësorja, problematika e kufirit me Irlandën.

Qeveria britanike njoftoi se të hënën ka nisur njëkohësisht bisedimet për marrëveshje të gjithanshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dërguar sinjalin se nëse nuk merr rezultatin që pret, do tërhiqet nga negociatat dhe do shfrytëzojë opsionin amerikan.

Parlamenti Europian ratifikoi më 31 janar marrëveshjen e Breksitit, duke i dhënë fund anëtarësimit 47-vjeçar të Britanisë në BE.

Procesi pasoi referendumin e qershorit 2016, ku 52 për qind votuan për largimin nga blloku europian.

EMISIONET