Policia ka proceduar 17 persona tëdyshohen si organizatorë të protestave të zhvilluara ditën e djeshme (24 qershor)  nga Shoqata e Transportit Publik në rrugën''Abdi Toptani dhe nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në  ''Bulevardin Dëshmorët e Kombit'', pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tyre.

Sipas policisë, tubimet kanë qenë të paligjshme, ndërsa shton se gjatë protestës iu ka bërë disa herë thirrje protestuesve të shpërndaheshin, si dhe të ruanin distancën në kuadër të masave kundër koronavirusit.

''Gjatë zhvillimit të protestave, në të dy rastet, policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimet, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tyre. Policia u ka kërkuar protestuesve që të mbajnë distancë sociale nga punonjësit e Policisë dhe nga njëri-tjetri, me qëllim parandalimin e infektimit me COVID-19. Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 4 persona, si organizatorë të tubimit tek Ministria e Infrastrukturës dhe për 13 të tjerë, si organizatorë të tubimit tek bulevardi "Dëshmorët e Kombit", pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente'', thuhet në njoftimin e policisë.

17 personat  janë proceduar për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".

Materialet për këto ngjarje do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 17 personave të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".

Shoqata e Transportit Publik protestoi pasi punonjësit nuk pranojnë të kthehen në punë pa marrë një tjetër bonus prej 40 mijë lekësh.

Ndërsa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje protestuan kundër ndërtimit të HEC-eve në Vjosë.

/Ora News.tv/