Pogba dhe Morata drejt rikthimit tek Juventus

Pogba dhe Morata drejt rikthimit tek Juventus

Kohët e fundit kanë nisur të qarkullojnë zëra për një rikthim të mundshëm të sulmuesit të Chelsea, Alvaro Morata, dhe mesfushorit të Manchester United, Paul Pogba, tek Juventus.

Këtyre thashethemeve i është përgjigur vetë drejtori i përgjithshëm i bardhezinjve, Giuseppe Marotta, i cili shprehet se gjithçka mund të ndodhë.

“Unë nuk jam një nga ata që besojnë shumë te formula e rikthimeve, por për Alvaro Morata dhe Paul Pogba mund të bëj dy përjashtime në ndërgjegjen time. Janë dy futbollistë fantastikë, që mbi të gjitha kanë lënë një gjurmë të fortë dhe të rëndësishme te Juventusi, prandaj gjithçka mund të ndodhë”.

Me pak fjalë, këto që kanë dalë së fundmi nuk kanë qenë vetëm thashetheme, sepse në Torino, sidomos trajneri Massimiliano Allegri, këmbëngul për të pasur një mesfushor dhe një sulmues për të tentuar Champions-in sezonin e ardhshëm dhe Pogba e Morata janë dy alternativa të rëndësishme.

Mediat angleze bëjnë me dije se ekziston mundësia e një rikthimi të bujshëm, ndoshta edhe e një dopio rikthimi, por me kushtin që bardhezinjtë nuk do të bëjnë çmendurira në merkato. Njeriu i merkatos juventine po bisedon me Chelsean, hipotezën e një huazimi njëvjeçar me të drejtë blerjeje të Alvaro Morata.

Oferta për londinezët ka qenë një shumë prej 10 milionë eurosh, plus pagesën e gjysmës së rrogës së lojtarit, një strategji kjo për të futur në marrëveshje pse jo edhe kartonin e mbrojtësit të majtë të torinezëve, Alex Sandro, i cili pëlqehet shumë nga blutë. E njëjta shifër, 10 milionë euro, i është ofruar edhe Manchester United për Paul Pogba, me këtë të fundit që është nxjerrë në shitje nga trajneri Jose Mourinho, pas përplasjeve të shumta.

Këtu Juventusi mund të fusë në “skenë” marrëdhëniet e shkëlqyera që ka me menaxherin e mesfushorit francez, Mino Raiola, edhe pse ky i fundit ka nisur punën për t’i gjetur një tjetër skuadër, si PSG-ja apo Reali i Madridit.

Gjithsesi, një rikthim në Torino mund të ndodhë, duke qenë se vetë Paul Pogba e ka theksuar shpeshherë se aty ka lënë një pjesë të zemrës dhe mbi të gjitha, do ta bënte këtë për të përqafuar sërish mikun e tij, Paulo Dybala.

EMISIONET