Pa paga prej 27 muajsh, punëtorët futen në grevë. Mallakastra rrezikon të mbetet pa ujë e drita

Pa paga prej 27 muajsh, punëtorët futen në grevë.

Mallakastra rrezikon të mbetet pa ujë të pijshëm e energji elektrike, pasi punonjësit e nënstacionit të Poçemit kanë ndërprerë punën në shenjë protestë për 27 paga të papaguara.  Meqenëse se ligji i bën me përgjegjësi në rast largimi, ata thonë se tashmë do bëjnë vetëm roje.

Prej kësaj të hënë, punonjësit e stacionit të pompimit dhe atij elektrik në Poçëm të Mallakastrës kanë kaluar në grevë pasi prej 27 muajsh nuk paguhen.

Janë 18 specialistë që kanë ndërprerë punën, duke rrezikuar të  lënë pa ujë e drita Mallakastrën.

Thonë se do të qëndrojnë vetëm si roje, pasi braktisja e objektit të rëndësisë së veçantë i vë para përgjegjësisë ligjore.

Ndaj vendimin ia kanë bërë të ditur të gjithë institucioneve.

"Nuk do ti shërbejmë më punës por do të jemi vetëm në cilësinë e ruajtjes së objektit të punës."

Punonjësit e nënstacionit elektrik dhe ata zjarrfikës në Mallakastër, kanë qenë në varësi të uzinës së Ballshit, por rafineria prej disa kohësh ka probleme me pagesat dhe punëtorët thonë se u kanë ndërprerë edhe kontratën.

Ndaj këtë situatë kërkojnë përgjigje nga kreu i qeverisë.

"Është ndërprerë kontrata me ish-punonjësit e nënstacionit të pompimit.Ne nuk dimë për kë punojmë, nuk dimë pronarin".

Thonë se historia e tyre tashmë ëstë bërë legjende, por familjet e tyre po zhyten në varfëri.

"Të na thonë që nuk jeni të mirë, të ikim në Serbi dhe të na mbajë Vuçiçi.27 muaj ku do të hanë fëmijët e mi?"

Ndërkohë edhe punonjësit e Uzinës së Naftës në Ballsh mbeten në protestë për pagat e prapambetura dhe nisjen e punës në rafinerinë që është mbyllur prej shtatorit.

Sipas kompanisë që e administron shkak është bërë mos furnizimi me naftë bruto nga Bankers Petrolium.



EMISIONET