A po mënjanohet Mogherini?

A po mënjanohet Mogherini?

Pavarësisht përfshirjes aktive të Gjermanisë dhe Francës në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Përfaqësuesja e lartë për politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së, Federica Mogherini mbetet ndërmjetësuesja e vetme. Këtë saktësim e bëri zëdhënësja Maja Koçijançiç, pas shtimit të zërave për mënjanimin e Mogherinit.

Frika se përfshija aktive e Gjermanisë dhe Francës në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit mund të mënjanojë Përfaqësuesen e lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, ka nxitur zëdhënësen Maja Kocijançiç të saktësojë se mbetet Mogherini është ndërmjetësuesja e vetme.

Zëdhënësja përshëndeti çdo angazhim në mbështetjen e dialogut, duke e përfshirë edhe takimin e ri të thirrur më 1 korrik në Paris nga presidenti francez Emmanuael Macron.

Ajo gjithashtu ripërsëriti kërkesën për shfuqizimin e tarifës ndaj mallrave serbe.

“Kontaktet tona vazhdojnë. Për shembull, përfaqësuesja e lartë do të marrë pjesë në takimin e liderëve në kuadër të procesit Bërdo-Brionit në Tiranë më 8 dhe 9 maj. Ajo është e gatshme të bëjë thirrje sërish për dialog. Gjithashtu është e qartë se qeveria e Kosovës duhet t’i heqë tarifat që të mundësojë ripërtëritjen e të shpejtë të dialogut,” tha Kocijançiç.

Samiti i Berlinit përjashtoi mundësinë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, ide për të cilën Mogherini u akuzua si mbështetëse.

Duke iu referuar samitit të mbajtur në Berlin, zëdhënësja Koçijançiç theksoi se takimi dha mundësi për këmbimin joformal të mendimeve, të cilat ishin të hapura dhe të sinqerta.

“Takimi, gjithashtu, ka dhënë një sinjal të rëndësishëm për angazhimin me përkushtim të madh të dy vendeve-anëtare, Gjermanisë dhe Francës, së bashku me të tjerët, ta mbështesin dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit”, shtoi Koçijançiç.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë vijon të jetë i bllokuar dhe shkak kryesor është tarifa që po zbatohet ndaj mallrave serbe.

EMISIONET