Sikundër edhe kishte njoftuar Presidenca, kreu i Shtetit Ilir Meta bëri publik qëndrimin e tij lidhur me negociatat e shtetit shqiptar me Greqinë  për çështjet e mbetura pezull.

Menjëherë pas letrës dërguar Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, Presidenti Ilir Meta doli në konferencë për shtyp të sqaronte se ai nuk mund të vihej përpara faktit të kryer për një marrëveshje të mundshme të detit, pa u konsultuar më parë.

Duke cituar vendimin e gjykatës kushtetuese të vitit 2009 dhe Kushtetutën, Presidenti tha se do të shfrytëzoj të gjithë mekanizmat që ka për të mos u bërë bashkëfajtor në një marrëveshje që mund të jetë jokorrekte.

Meta: Presidenti nuk mund të vihet para fakteve të kryera, Presidenti nuk mund të reagojë në fund përderisa kjo marrëveshje nuk i plotëson kushtet, që do të thotë nuk ka bërë detyrën e tij. Nuk mund të bëhem pjesë e shkeljes së Kushtetutës, asnjë shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe asnjë bashkëfajësie edhe pa dashje. 

Meta sqaroi se kjo që ai bëri nuk është lojë politike por përgjegjshmëri ndaj një marrëveshje të rëndësishme. I pyetur për ndikimin e vendimit të tij në shtyrjen e marrëveshjes që pritet në prill me vizitën e kryeministrit grek, Tsipras, Meta tha se axhendat e kryeministrave të huaj nuk mund të ndikojnë vendimmarrjen e kreut të shtetit.

Meta: Axhenda e cilido personalitet të nderuar nuk mund të më pengojë mua të mos përmbush detyrimet e mia për realizimin me sukses, në mënyrë transparente, të qëndrueshme, përfundimtare të një marrëveshje historike.  

Meta në fund i dha dhe një mesazh të qartë ministrit të Jashtëm, duke thënë se për këtë çështje, komunikimi i tij do të jetë vetëm institucional zyrtar.

Meta: I kam bërë të qartë ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, që për këtë çështje kaq të rëndësishme, të ecurisë së marrëdhënieve me Greqinë, bashkëpunimi do të jetë vetëm zyrtar.

Pas deklaratës së tij, Ministria e Jashtme në një komunikatë për mediat se po shqyrton letrën e Presidentit dhe do të vazhdojë bisedimet me të. Sipas Ministrisë, procesi i nisur me Greqinë është kompleks, kërkon qetësi dhe shmangien e një anormaliteti që nuk ekziston.


Meta: Pa plotësuar mangësitë, nuk ka autorizim nga Presidenti

Meta u tregua i prerë kur tha se pa plotësuar mangësitë e konstatuara në kërkesën për autorizim, Presidenti nuk do t'i japë Plotfuqi Ministrit të Jashtëm dhe grupit negociator për këtë çështje.

Ilir Meta: Presidenti nuk mund të firmosë një letër të bardhë dhe me disa probleme që kanë nevojë të saktësohen. Institucioni i Presidenti nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme  lidhur me diskutimet që janë bërë me ministrinë e Jashtme të Greqisë. Ia kam bërë të qartë se bashkëpunimi do të jetë vetëm zyrtar për të evituar çdo lloj keqkuptimi dhe përgjegjësie të pamerituar të secilit. Edhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë informacion.  Presidenti nuk mund të vihet para fakteve të kryera. Nuk mund të reagojë në fund nëse kjo marrëveshje nuk plotëson parakushtet dhe më pas të thotë nuk jep besimin para se të nënshkruhet marrëveshja pasi mund të kontribuonte në thelimin e krizës.

Meta tha se ishte i detyruar të bënte publike shkresën drejtuar MPJ-së në funksion të transparencës ndaj opinionit publik brenda dhe jashtë Sqhipërisë.

Presidenti Meta tha se është i angazhuar për një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare me Greqinë, por palës shqiptare i kujtoi vijat e kuqe që janë Kushtetuta e vendit dhe vendimi i posaçëm i Gjykatës Kushtetuese.

Meta sqaron pse publikova shkresën drejtuar Bushatit për negociatat

Ilir Meta: U detyrova sot jashtë dëshirës sime të bëj publike përgjigjen për MPJ lidhur me kërkesën e saj për autorizim negociatash për palën greke me qëllim qartësimin e opinionit brenda dhe jashtë vendit për këtë çështje mjaft të rëndësishme dhe më e debatueshmja gjatë dekadës së fundit. Duke nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshem që i kushtoj forcimit të marrëdhënieve dhe rritjes së frymës së mirëbesimit me të gjithë fqinjët në përgjithësi dhe Greqinë në veçanti. Jo vetëm në detyrën aktuale të Presidentit por edhe në vijimësi në të gjitha detyrat shtetërore dhe politike të mëparshme dua të theksoj mbështetjen dhe angazhimin tim për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe përfundimtare të kësaj çështje të rëndësishme. Për të arritur këto objektiva është e domosdoshme të ketë transparencë të plotë të gjithë procesit nga të gjitha institucionet e shtetit në respekt të Kushtetutës së Republikës dhe vendimit të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese numër 15 datë 15 prill 2010.

 Vija e kuqe për negociatat me Greqinë

Meta tha se Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka të përcaktuar qartë rolin e Presidentit në këtë proces, teksa foli dhe për vija e kuqe.

Meta: Nënvizoj se sjellja dhe kontributi i Presidentit ndaj kësaj çështje do të jetë i bazuar vetëm mbi Kushtetutë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka cilësuar dhe interpretuar qartë për herë të parë rolin dhe kompetencën e Presidentit në lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe specifikisht të marrëveshjes mbi përcaktimin e hapësirave detare midis Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë. Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje janë jo vetëm për Presidentin por të gjithë institucionet  shqiptare që përfshihen në këtë proces vija e kuqe e detyrueshme për zbatim.

Qëndrimi i mazhorancës dhe opozitës

Presidenti Meta bëri publike dy qëndrimet, atë të opozitës dhe mazhorancës për marrëveshjen detare me Greqinë.

Meta: Qëndrimi i opozitës ka qenë që kjo çështje duhet të zgjidhet në një gjykatë ndërkombëtare me mirëkuptim mes dy palëve. Sigrisht ky është një opsion.Ndërkohë Qeveria ka synuar dhe synon që kjo çështje të zgjidhet përsëri përmes negociatave. Duke respektuar qëndrimin e opozitës dhe qëndrimin dhe incentivën e qeverisë për ti dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështje përmes negociatave të reja, dua të theksoj se për këtë çështje ka një vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila është një vijë e kuqe për të gjithë duke filluar nga Presidenti. Është detyra e Poresidentit të respektojë këtë vendim sepse është zotuar për mbrojtjen e Kushtetutës.


Meta në krye të negociatave me Greqinë?

Kreu i Shtetit hodhi poshtë aludimet se kërkon të marrë rolin e kryenegociatorit me Greqinë.

Meta: Dua të cilësoj tre momente që presidenti i ka kthyer MPJ mbi këtë rol apo përcaktime të rëndësishme që për herë të parë Gjykata Kushtetuese i ka bërë këtë çështje dhe të tjera të ngjashme. -Pika 37, Gjykata çmon se qëllimi i Plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e Plotfuqisë. Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me Plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim. Në çdo rast negocimi dhe lidhja e marrëveshjes duhet të bëhet brenda kufijve të plotësuar në Plofuqinë e dhënë nga organi kompetent. Për çdo ndryshim, shtesë apo zvogëlim të objektit të negocimeve përfaqësuesit e shtetit shqiptar janë të detyruar të kërkojnë marrjen e një plotfuqie të re ose ndryshimin, shtesën apo zvogëlimin e Plotfuqisë së dhënë duke respektuar parimin e shtetit të së drejtës.

Në rastet e përmenduara, në shkronjat a) dhe b) të kësaj pike kërkesa për lëshimin e Potfuqisë i drejtohet autoritetit kompetent për lëshimin e autorizimit nga institucioni që ka iniciativën për lidhjen e marrëveshjes të shoqëruar nga teksti i projektmarrëveshjes dhe një relacion shpjegues, kjo i referohet ligjit të 2016. Sa i takon rolit të presidentit, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë cili është roli i tij në këtë çështje dhe të tjera.

Pika 36 thotë se Presidenti është përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar në marrëdhëniet me jashtë dhe ka autoritetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare si përfaqësues legjitim i shtetit. Nga kjo rezulton se ose ai vetë duhet të kishte marrë pjesë në lidhjen e marrëveshjes ose nëpërmjet Plotfuqisë duhet të kishte autorizuar grupin negociator për këtë qëllim.

Presidenti nuk synon të bëjë edhe atë rol që ja jep Gjykata Kushtetuese të ulet dhe drejtojë bisedimet.Kjo nuk do të ishte  mirë as për Presidentin dhe as për shtetin sepse do të tregonte mungesë besimi tek cilido tjetër, Presidenti nuk është ekspert por ka për detyrë të përmbushë të gjitha përcaktimet e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese lidhur me titullin qartë, objektin, kufijtë e asaj që do të negociohet, draftin e marrëveshjes, metodologjinë dhe padyshim dhe me ekipin negociator.

Presidenti nuk ka nevojë të caktojë njeri atje sepse të gjithë ata që do të marrin këtë besim, qoftë autorizimi, qoftë Plotfuqia është delegim i besimit të Presidentit në emër të shtetit për të bërë një marrëveshje shtetërore. Por Presidenti nuk mundet të firmosë një letër të bardhë dhe njëkohësisht dhe me disa probleme që kanë nevojë të saktësohen.


/Ora News.tv/