Shqipëria së bashku me 16 shtete të tjera, 13 prej të cilave vende anëtare të BE, kanë marrë pjesë në operacionin e koduar "RAD" - Referral Action Day, i cili ka çuar në shkatërrimin online të platformave web, të cilat kishin materiale ilustrative e manuale dixhitale, që përdoreshin për planifikimin dhe realizimin e sulmeve terroriste xhihadiste e anarkiste.

Ky operacion u promovua nga Europol dhe u koordinua nga Qëndra Europiane e Antiterrorizmit.

Gjatë operacionit ekspertët e Cyberterrorizmit sinjalizuan, analizuan e shkatërruan të gjitha materialet e manualet e shpërndara në web për të frymëzuar dhe kryer sulme terroriste, xhihadiste, anarkiste dhe ekstremiste.

Mes këtyre materialeve, u zbuluan në internet dhe manuale se si të realizonin armë self made me efekte shkatërruese dhe si të qëndronin anonimë pa u identifikuar gjatë planifikimit të një sulmi terrorist.

Operacioni RAD çoi në eleminimin e 1,724 adresave email  të lidhura me 113 plataforma dixhitale për propagandë xhihadiste, si dhe 182 adresa email të lidhura me 67 platforma web për propagandë ultra e djathtë anarkiste.

Disa nga vendet që morën pjesë në këtë operacion ishin Shqipëria, Australia, Gjermania, Italia, Belgjika, Serbia, Maqedonia e Veriut, Rumania, Sllovenia, Spanja Hungaria, Greqia, Franca, Çekia, Danimarka, Portugalia, Britania e Madhe.

/Ora News.tv/