Plan-veprimi për Integrimin, Meta: Qeveria e ka zhdukur kushtin e BE për hetimin e krimit zgjedhor

Plan-veprimi për Integrimin, Meta: Qeveria e ka zhdukur kushtin e BE

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka argumentuar pse plani i integrimit me 15 pika i qeverisë nuk është korrekt. Meta ka publikuar komentet dhe sugjerimet e tij ku thotë se në këtë plan të maxhorancës është zhdukur kushti i BE për hetimin e krimit zgjedhor.

Ndër të tjera, Meta thotë se është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme ngutja për ta prezantuar këtë projekt-plan si një dokument të konsoliduar gjithëpërfshirës gjatë mbledhjes së 9 qershorit, ndërkohë që asnjë nga institucionet jashtë ekzekutivit nuk ishin njohur më parë me këtë dokument.

Duke numëruar rekomandimet e BE-së, Meta thotë se një ndër to është dhe nisja e procedimeve kundër personave të akuzuar për blerjen e votës.

Sipas tij plani i veprimit duhet t’i qëndrojë plotësisht besnik 15 kushteve, siç janë përcaktuar nga Bashkimi Europian.

Argumenti i plotë

Fillimisht dëshiroj të tërheq vëmendjen për mënyrën e prezantimit të projekt Plan-Veprimit nga Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.

Është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme ngutja për ta prezantuar këtë projekt-plan si një “dokument të konsoliduar gjithëpërfshirës” gjatë mbledhjes së 9 qershorit, ndërkohë që asnjë nga institucionet jashtë ekzekutivit nuk ishin njohur më parë me këtë dokument.

Qasja për vendosjen përpara faktit të kryer jo vetëm nuk i shërben qëllimit për zbatimin e 15 kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian për Shqipërinë, por cënon edhe besueshmërinë e këtij procesi me pasojë të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e BE për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Ndaj duhet fillimisht të ndërtohet një proces i mirëstrukturuar, objektiv, transparent dhe realisht gjithëpërfshirës.

Të përcaktohet qartë se cili institucion do të marë përsipër udhëheqjen e hartimit, koordinimit, konsultimit, miratimit, dhe më pas të monitorimit të zbatimit të planit të veprimit për 15 kushtet e përcaktuara.

Duhet të këtë një kalendar të qartë të këtij procesi që kërkon angazhim më të gjerë se përgjegjësitë e ekzekutivit, gjithmonë në rast se ky proces do të jetë gjithëpërfshirës, e si rrjedhojë me bashkëpërgjegjësinë përkatëse të gjithsecilit.

Në përvojën e gjatë institucionale të shtetit shqiptar tashmë është e konsoliduar metodologjia që ndiqet në procese të tilla, e që në këtë rast po shtrembërohet në mënyrë të paarsyeshme.

Së dyti, plani i veprimit duhet t’i qëndrojë plotësisht besnik 15 kushteve, siç janë përcaktuar nga Bashkimi Europian.

Këshilli i Bashkimit Europian në konkluzionet e tij të 25 Marsit 2020 thekson se: “Shqipëria duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme përpara zhvillimit konferencës së parë ndër-qeveritare:

1. Të miratojë reformën zgjedhore, plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, duke siguruar transparencën e financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore;

2. Të sigurojë vazhdimësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën ndërkombëtare përkatëse përfshirë opinionet e Komisionit të Venecias;

3. Të përfundojë ndërtimi i strukturave të specializuara që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar;

4. Të forcojë më shumë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë përmes bashkëpunimit me vendet anëtare të BE dhe përmes plan-veprimit në përgjigje të rekomandimeve të FATF (Financial Action Task Force);

5. Të trajtojë fenomenin e azilkërkuesve dhe të sigurojë riatdhesimin;

6. Amendimin e ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias;

Komisioni do të hartojë një raport mbi këto çështje duke përfshirë dhe përparimin mbi një bazë të gjurmueshme të dhënash kur të prezantojë kuadrin negociator.

Kuadri negociator do të miratohet nga Këshilli dhe duhet të reflektojë që Shqipëria ka trajtuar me sukses 5 prioritetet kyçe si:

7. Nisjen e procedimeve penale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vetingut;

8. Nisjen e procedimeve kundër personave të akuzuar për blerjen e votës;

9. Të ketë një bazë të gjurmueshme të dhënash solide për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë nisjen dhe përfundimin e procedimeve të para kundër zyrtarëve të lartë dhe politikanëve;

10. Përparim të mirëfilltë në reformën e administratës publike;

11. Zbatimi i reformës zgjedhore;

12. Një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019;

13. Përparim të mëtejshëm në miratimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit kuadër për mbrojtjen e minoriteteve të vitit 2017,

14. Miratimin e ligjit për regjistrimin e popullatës sipas rekomandimeve të Këshillit të Europës;

15. Përparimin e procesit të regjistrimit të pronës.

Këshilli e fton Komisionin që të vijojë monitorimin e përparimit dhe të përputhshmërisë në të gjitha fushat që lidhen me çeljen e negociatave dhe të nisë dhe përfundojë procesin e kqyrjes analitike të legjislacionit europian në vend, duke nisur me pirgun e çështjeve thelbësore.”

Pra përpara propozimit të kuadrit negociator nga Komisioni Europian (Qershor 2020), Shqipëria do të duhej të kishte plotësuar 6 (gjashtë) kushtet e para, e më tej, përpara miratimit të këtij kuadri nga Këshilli Europian (vjeshtë 2020), Shqipëria do të duhet me doemos të ketë zbatuar 15 kushtet e renditura më sipër.

Ndërkohë që Komisioni Europian është aktualisht në proces diskutimi të kuadrit negociator, është për të ardhur keq që ky kuadër nuk mbështetet në përparimin thelbësor që pritej nga Shqipëria.

Fatkeqësisht, edhe kësaj here paralajmërimet dhe thirrjet e mia të kahershme për nisjen e menjëhershme të punës, nuk u dëgjuan në kohë.

Gjithsesi është me rëndësi thelbësore që çdo dokument zyrtar i palës shqiptare, sado i vonuar, duhet t’i përgjigjet kërkesave të qarta të BE, pasi zbatimi i tyre është detyrim i pashmangshëm.

Së treti, secili nga 15 kushtet, duhet të zbërthehet një për një, në terma konkretë e të matshëm veprimi, të përcaktojë qartë afatet kohore, aktorët përgjegjës si dhe kostot financiare për çdo zë.

Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet një gjurmim i përparimit të arritur dhe të identifikohen përgjegjësit që e zvarrisin, cenojnë apo minojnë këtë proces.

Konkretisht, Institucioni i Presidentit të Republikës sugjeron:

Prioriteti 2 i plan veprimit nuk korrespondon me prioritetin 2 të BE që thotë “Të sigurojë vazhdimësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën ndërkombëtare përkatëse përfshirë opinionet e Komisionit të Venecias”.

Sigurimi i vazhdimësisë së zbatimit të reformës në drejtësi duhet të përfshihet si prioritet i veçantë, bashkë me sugjerimet për masat dhe hapat konkrete/përkatëse nga institucionet e reja të drejtësisë dhe afatet e realizimit të tyre:

Masat:

1. Rikonfigurimi i hartës së re gjyqësore;
2. Vlerësimi i ngarkesës së Gjykatës Administrative të Apelit;
3. Përshpejtimi i procesi i rivlerësimit kalimtar (vetting);
4. Përfundimi i procedurave për plotësimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit me trupën e nevojshme të gjyqtarëve të përcaktuar nga KLGJ;
5. Plotësimi me stafin e nevojshëm të organikës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Hapat:

1. Hartimi dhe miratimi i menjëhershëm/pa vonesë i hartës së re gjyqësore të rishpërndarjes së burimeve njerëzore brenda sistemit gjyqësor të Gjykatave të Apelit dhe Gjykatave të Shkallës së Parë;
2. Plotësimi i vakancave të krijuara për shkak të dorëheqjeve ose procesit të vetting-ut;
3. Marrja e masave për të mundësuar realizimin e një procesi të rregullt ligjor dhe brenda afatit ligjor (1 mujor) në Gjykatën e Apelit Administrativ;
4. KPK dhe KPA të procedojnë pa vonesë shqyrtimet e çështjeve dhe të përcaktojnë listën prioritare të subjekteve, duke u fokusuar tek subjektet që kandidojnë për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme, Gjykatat e Posaçme;
5. Përfundimi i procedurave të rekrutimit për plotësimi me stafin e nevojshëm sipas organikës të miratuar për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë;
6. Mbështetja llogjistike dhe infrastrukturore e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me qëllim funksionimin pa pengesa administrative.

Institucionet e Përfshira:

Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisioneri Publik, ONM, ILD.

Prioriteti 2: Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese.

Masat:

1. Ndjekja e procedurave kushtetuese dhe ligjore për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Hapat:

1. Dorëzimi i detyrës nga Kryetari i KED, dhe vijimi i punës së KED nën drejtimin e nënkryetarit, sipas ligjit;
2. Publikimi i Opinionit të Komisionit të Venecias mbi emërimin e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (18 qershor 2020);
3. Përmirësimi i akteve nënligjore të KED, në zbatim të gjetjeve dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias;
4. Pjesëmarrja e Avokatit të Popullit me të drejta të plota në veprimtarinë e KED;
5. KED përfundon pa asnjë vonesë procesin e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për 3 (tre) vende vakante të shpallura nga organet e emërtesës (President-Kuvend-President), jo më vonë se korrik 2020;
6. Sigurimi i transparencës së veprimtarisë së KED, përmes publikimit të procesverbaleve;
7. KED i përcjell listën përfundimtare të kandidatëve për secilën vakancë organit të emërtesës, sipas radhës kushtetuese, President-Kuvend-President;
8. Organi i emërtesës emëron/zgjedh/emëron anëtarin e Gjykatës Kushtetuese;
9. Anëtari i Gjykatës Kushtetuese i emëruar/zgjedhur/emëruar betohet përpara Presidentit të Republikës dhe fillon zyrtarisht ushtrimin e mandatit.

Institucionet e Përfshira: KLGJ, KED, Avokati i Popullit, President, Kuvend.

Pika 4 dhe 5 e masave të këtij prioriteti duhet të hiqen nga teksti.

Koment: pika 4 e hapave të parashikuara në prioritetin 2, përgatitur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme: “Ri-shpallje (me shumë probabilitet) e vendeve vakante nga KED-Shtator 2020 nëse ka probleme konfirmimet nga KPK dhe KPA”.

Kjo masë përveçse paragjykon procesin aktual të shqyrtimit nga KED, le qartësisht të kuptohet se vendimmarrja e KED është e paracaktuar politikisht nga ekzekutivi.

Kujtojmë se KED përjashtoi Avokatin e Popullit nga diskutimet për vlerësimin e kandidaturave me arsyetimin e “ruajtjes së konfidencialitetit të këtij procesi”.

Mesa duket i njëjti rregull nuk është i zbatueshëm për ekzekutivin, i cili duket se është në dijeni të procesit konfidencial të KED, edhe pse me ligj është plotësisht i përjashtuar nga ky proces. Kujtojmë gjithashtu se KED 2020 e ka zhvilluar mbledhjen e tij të fundit në 6 shkurt 2020!!!

Koment: pika 5 e hapave të parashikuara në prioritetin 2, përgatitur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme: “Marrja e Opinionit të Komisionit të Venecias për statusin e një anëtareje (qershor 2020).

Përsëritet e njëjta tendencë abuzive për shtrembërimin e Opinionit të Komisionit të Venecias, i cili po shqyrton veprimtarinë e të gjitha organeve KED-KUVEND-PRESIDENT, për gjithë procesin e “Emërimit të Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, dhe JO statusin e një anëtareje të Gjykatës, siç sugjeron MEPJ!

Prioriteti 3: Funksionimi i Gjykatës së Lartë

Masat duhet të përfshijnë plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën gjyqësore brenda shtatorit 2020.

Hapat duhet të përfshijnë:

1. Ndjekja e procedurës administrative të dorëzimit të detyrës sipas ligjit të anëtarit të Gjykatës së Lartë, nga rradhët e jo-gjyqtarëve;
2. Përfundimi brenda muajit qershor 2020 i procedurave për kualifikimin, pikëzimin dhe përzgjedhjen e anëtarit të katërt dhe të fundit jo-gjyqtar nga KLGJ;
3. Betimi përpara Presidentit të Republikës dhe fillimi i ushtrimit të detyrës së anëtarit të Gjykatës së Lartë;
4. Përfundimi brenda muajit korrik 2020 i procedurave të verifikimit, vlerësimit, pikëzimit të kandidatëve që kanë aplikuar për në procedurat e ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë për 6 (gjashtë) pozicionet e shpallura në shkurt 2020 dhe propozimi për emërim i kandidaturave të përzgjedhura;
5. Betimi përpara Presidentit të Republikës dhe fillimi i ushtrimit të detyrës së 6 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë;
6. Shpallja menjëherë e thirrjes për aplikim për procedurat e ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë për 8 (tetë) vendet vakante në Gjykatën e Lartë për t’u plotësuar nga rradhët e Gjyqësorit;
7. Investimi i të gjitha burimeve për verifikimin, kualifikimin, pikëzimin, dhe propozimi për emërim të kandidaturave;
8. Betimi përpara Presidentit të Republikës dhe fillimi i ushtrimit të detyrës së 8 anëtarëve të Gjykatës së Lartë;
9. Marrja e masave proporcionale për dosjet e mbartura në Gjykatën e Lartë, për shqyrtimin e tyre brenda një afati të arsyeshëm;
10. Shpallja nga Gjykata e Lartë, e thirrjes për aplikim për plotësimin e tre vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese që i përkasin për emërim Gjykatës së Lartë si organ emërtese.

Institucionet e Përfshira: KLGJ, Gjykata e Lartë, President.

Prioriteti 4: Të përfundojë ngritja e strukturave të posaçme kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsion (SPAK dhe BKH).

Masat:

1. Plotësimi i SPAK me 3 anëtarë (12/15 kanë nisur detyrën);
2. Ngritja dhe nisja nga funksionimi i BKH.

Hapat:

1. Verifikimi, pikëzim dhe renditja e kandidatëve për 3 vende vakante për Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme;
2. Betimi i anëtarëve të rinj përpara Presidentit të Republikës dhe fillimi i ushtrimit të detyrës.

Institucionet e Përfshira: KLP, SPAK, President.

Prioriteti 5: Të forcojë më shumë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë përmes bashkëpunimit me vendet anëtare të BE dhe përmes plan-veprimit në përgjigje të rekomandimeve të FATF (Financial Action Task Force).

Masat: Të përfshihen masat që lidhen me veprimtarinë e SPAK, BKH, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe gjurmimi i rezultateve lidhur me to.

Të rishikohet pika 1 e masave, në dritën e faktit se Akti Normativ i datës 30.1.2020 dhe çdo nismë ligjore e lidhur me të janë masa që shkelin kompetencat kushtetuese të organeve të reja të drejtësisë, siç është ngritur me shqetësim nga Presidenti i Republikës dhe organizatat e shoqërisë civile.

Gjithashtu të përfshihen si pika të veçanta secili prej rekomandimeve të FATF, duke zbërthyer hapat konkrete për realizimin e tyre, bashkë me institucionet përgjegjëse.

Prioriteti 6: Trajtimi i fenomenit të azilkërkuesve dhe sigurimi i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë.

Tek Masat të trajtohet me përparësi trajtimi i shkaqeve që detyrojnë shtetasit shqiptarë të kërkojnë azil në vendet anëtare të BE, dhe ndihma ndaj komuniteteve më vulnerabël;
Të trajtohen masat që lidhen me riatdhesimin e shtetasve shqiptarë, si dhe kosto financiare përkatëse;
Të trajtohen masat që lidhen me riintegrimin e shtetasve të kthyer, sipas strategjisë dhe planit të veprimit përkatës, bashkë me kostot financiare.

Prioriteti 7: Amendimin e ligjit të medias sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias

Masat: Të rishikohet nisma ligjore për median, në vijim të rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe të Komisioneres për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës (depozituese e kërkesës pranë Komisionit të Venecias).

Prioriteti 8: Nisjen e procedimeve penale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjetur me shkelje penale gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar.

Masat: Të renditen rastet e identifikuara gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar, dhe ndjekja për secilin rast nga institucionet e gjyqësorit. Të përcaktohen qartë institucionet e ngarkuara me këtë proces dhe hapat që parashkohet të meren në këtë kontekst.

MUNGON prioriteti 9: Nisja e procedimeve penale kundër personave të akuzuar për blerjen e votes.

Ndjekja e dosjeve penale që lidhen me krimin zgjedhor, nga institucionet e gjyqësorit. Të përcaktohen institucionet që ndjekin këto procese, dhe specifikohet gjurmimi i ecurisë së tyre.

Prioriteti 9: Të ketë një gjurmim solid të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë nisjen dhe përfundimin e procedimeve të para kundër zyrtarëve të lartë dhe politikanëve;

Masat e parashikuara duhet të përfshijnë të dhënat konkrete që gjurmojnë ecurinë e proceseve gjyqësore në zinxhirin Polici-Prokurori-Gjykatë.


EMISIONET