Distileritë e alkoolit kudo nëpër botë në këto kohë pandemie po vihen në shërbim të publikut, për të plotësuar nevojat në rritje për masa mbrojtëse si dezinfektantët e duarve.

Në shumë vende të botës, mbyllja e lokaleve, restoranteve dhe dyqaneve si masë ndaj pandemisë së Covid-19, ka rënduar financiarisht bizneset.

Edhe pse nga më të prekurat, fabrikat e pijeve alkoolike dhe të birrave po i kompensojnë humbjet duke hapur një tjetër linjë, atë të prodhimit të dezinfektuesve për duart.

Alkooli, përbërësi bazë i lëndëve çinfektuese, prej kohësh është në kërkesë të lartë nga spitalet, por në treg ka mungesa serioze.

"Alkoolin që normalisht e përdorim për xhinin po e çnatyrojmë me eter që njerëzit ta përdorin për dezinfektimin e duarve dhe sipërfaqeve të tjera. Të kalosh nga pijet te dezinfektantët brenda javës, për ne është disi e pabesueshme si situatë," tregon një distilues belg.

Fabrika e tij që deri para pak muajsh prodhonte rreth 4 mijë litra pije alkoolike në ditë, tashmë nxjerr një sasi ditore prej 10 mijë litra dezinfektues.

Këtë periudhë të vështirë pandemie po e shfrytëzojnë për qëllime humanitare edhe grupet e parfumeve në Francë, të cilat nga prodhimi i aromave dhe artikujve kozmetikë janë kthyer te xhelet dezinfektuese, për t'ua shpërndarë falas spitaleve dhe stafit mjekësor.

"Nuk e di sesa dyqane kam kërkuar për dezinfektues dhe nuk i gjej dot," tregon një shtetase amerikane.

Edhe në SHBA rastet me koronavirus po rriten, sikurse kërkesa për lëndë çinfektuese për duart.

Ky produkt po prodhohet falas nga një tjetër distileri pijesh alkoolike, për interes të komunitetit vendës.

Pak ditë më parë edhe autoritetet greke njoftuan se qindra tonë etanol të konfiskuar si kontrabandë do të përdoren për të krijuar produkte dezinfektimi dhe antiseptikë për shkak të gjendjes së tyre të pamjaftueshme në farmacitë e vendit.

/Ora News.tv/