Përplasja mes institucioneve, analisti Genc Burimi: Luftë për pushtet, finishi është 2021

Përplasja mes institucioneve, analisti Genc Burimi: Luftë për

Përplasja mes institucioneve është një luftë për pushtet. Analisti Genc Burimi, tha për RTV Ora se mazhoranca kërkon të heqë Ilir Metën. Sipas tij, sot në Shqipëri nuk është problem Gjykata Kushtetuese, por reforma zgjedhore. Vetëm reforma zgjedhore -tha ai- zgjidh gjithçka.

Genc Burimi: Pse ky revoltim i situatës nuk ndodhi para  1 viti ose para 6 muajsh. Ndodhi tani sepse mazhoranca e ka thënë qartë, se kërkon të heqë Ilir Metën. Pra është një luftë për pushtet. Shqiptarët ta kenë të qartë që është një luftë për pushtet nga të dyja palët i bëjnë thirrje popullit, është diçka demagogjike dhe populiste. Shqiptarët në këtë mes nuk fitojnë asgjë. Shqiptarët kanë nevojë të kenë zgjedhje të ndershme dhe reformë zgjedhore. Ajo i zgjidh çështjet. Kaq!

Sot problemi në Shqipëri nuk është në Gjykatën Kushtetuese, sot problemi në Shqipëri është në reformën zgjedhore. Nuk bëhet referendumi që të caktohet edhe nga PS edhe nga Presidenti. Pra kush do ti numërojë?! Pra është reforma zgjedhore, të tjerat janë bla bla.

Ju qëndruat pa gjykatë 2 vjet, prisni dhe një vit e gjysmë, në 2021 janë zgjedhjet, asgjë tjetër nuk do të ndodhë.

Sipas Burimit, në 2017 Basha dhe Meta nuk duhet të kishin hyrë në zgjedhje, pasi sot po vuajnë pasojat.

Genc Burimi: Të  munguarit kanë gjithmonë gabim, këtë po e shfrytëzon mazhoranca. Kjo është lojë e opozitës dhe është lojë e Ilir Metës. Ata nuk duhet të kishin hyrë në zgjedhje në 2017. Sot bëjnë si të virgjër sikur po zbulojnë sot se çfarë dallkauku është Edi Rama. E dinin fare mirë që vendi ishte plot kanabis, e dinin fare mirë që zgjedhjet në qershor 2017 zgjedhjet do vidheshin në mënyrën më trashanike. Ilir Meta hyri në zgjedhje, sot po e pësojnë.

Referendumin e shikon me dyshim, pasi do të duhet një kohë e gjatë që palët të arrijnë gjuhën se kush do ti numërojë votat. Sipas tij, të gjitha palët politike mirë apo keq, duhet të përgatiten për zgjedhjet e 2021, pasi tani nuk janë gati për zgjedhje të parakohshme.

Genc Burimi: Sot presidenti nuk ka asgjë në dorë, është një gur shahu. Mund ta ndërmarrë, por sa të bëhet referendumi...edhe po u vendos, ja i mblodhi 50 mijë vota, ja e caktoi pyetjen. E zëmë se u bë referendumi, por do të duhen 6 muaj polemikë kush do ti numërojë votat. Do arrijë në fund të 2020, në 2021 kemi zgjedhje të përgjithshme. Asgjë tjetër nuk ka sot në horizontin shqiptar përveç zgjedhjeve të 2021. Mirë apo keq ky është horizonti i ardhshëm, mirë apo keq sot partitë politike duhet të përgatiten për këto zgjedhje. Ai është finishi, aty do zgjidhet gjithçka. Sot për këto zgjedhje nuk jemi gati, nuk ka reforma zgjedhore.

EMISIONET