Përpjekje europiane për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të Iranit

Përpjekje europiane për të shpëtuar marrëveshjen

Gjermania është duke drejtuar përpjekjet diplomatike për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të Iranit. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ndodhet në Teheran për të ulur tensionet e krijuara së fundi me ShBA-në. Perëndimi mendon se marrëveshja ekzistuese është më e mira që mban nën kontroll programin bërthamor iranian.

Gjermania po drejton përpjekjet ndërkombëtare për të ç’tensionuar gjendjen e krijuar midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, si dhe shpëtimin e marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore.

Ministri i Jashtëm, gjerman Heiko Maas, ndodhet në Teheran ku takoi së pari homologun iranian, Mohammad Javad Zarif dhe më pas presidentin Hassan Rouhani.

Më herët, duke folur nga Abu Dhabi, Mass nënvizoi rëndësinë e marrëveshjes bërthamore.

"Gjatë debatit, europianët kanë nënvizuar vazhdimisht gjetjen e një pozicioni të përbashkët. Ne duam ta shpëtojmë marrëveshjen. Gjithashtu duhet të diskutojmë jo vetëm për largimin e Shteteve të Bashkuara, por edhe veprimin me sanksione të njëanshme," tha kreu i diplomacisë gjermane.

Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar argumentojnë se marrëveshja bërthamore e nënshkruar midis fuqive të Këshillit të Sigurimit të OKB-së është mënyra më e mirë për të penguar zhvillimin e programit bërthamor të Iranit dhe gjithashtu i hap rrugë zgjedhjes së çështjeve të tjera të sigurisë në të ardhmen.


EMISIONET