Miliona euro kompensim do të ofrohen nga qeveria greke për të gjithë personat dhe bizneset e prekura nga përmbytjet që përfshinë Athinën javën e kaluar. 20 persona mbetën të vdekur dhe 2 të tjerë janë nën kërkim pas reshjeve të dendura që goditën kryeqytetin. Banorët e prekur fajësojnë infrastrukturën e dobët të zonës dhe neglizhencën e autoriteteve për përmasat që kjo katastrofë mori.

Greqia do të ofrojë miliona euro kompensim për personat e prekur nga përmbytjet e javës së kaluar në perëndim të Athinës, që i morën jetën të paktën 20 shtetasve. Qindra shtëpi dhe biznese në qytetet bregdetare të Mandras dhe Nea Peramosit pësuan dëme madhore kur uji dhe balta u përplasën në vendbanimet e ndërtuara në ultësirat e një vargu malor. 20 persona humbën jetën dhe 2 mbeten ende të humbur, bilanci më i rëndë i viktimave që prej përmbytjeve të 1977.

Katastrofa nxiti akuza ndaj autoriteteve greke për mosmarrjen parasysh të paralajmërimeve se zonat me infrastrukturë të dobët dhe ndërtime të palicensuara janë të cënueshme nga përmbytjet. Sipas zëdhënësit të qeverisë Dimitris Tzanakopoulos, autoritetet do të ofrojnë deri në 5.000 euro për viktimat e përmbytjeve dhe 8.000 euro për bizneset e prekura. Nuk ka ende një shifër konkrete se sa shteti ka përllogaritur për kompensimin, por shuma do të merret nga buxheti kombëtar.

/Ora News.tv/