Në Greqi një grua është plagosur rëndë gjatë përleshjeve të anarkistëve me policinë.

Gruaja, me profesion avokate u godit nga një raketë ndriçuese ndërsa po kalonte pranë zonës së incidenteve.

Pamjet e filmuara nga kamera e televizionit Euronews janë tronditëse.

E plagosura u dërgua menjëherë në spital ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Ajo po kurohet në reanimacion, dhe gjendja e saj konsiderohet e rëndë, pasi goditja e raketës në këmbë i ka dëmtuar enët e gjakut.

Ngjarja ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së të premtes.

Incidente të dhunshme shpërthyen pas përfundimit të marshimit të protestës që zhvillohet çdo 17 nëntor, në përkujtim të revoltës studentore të 1973-shit.

Grupe anarkistësh që kishin penetruar mes protestuesve nisën të hidhnin kundër forcave të policisë gurë dhe sende të tjera të forta.

Gradualisht, përleshjet u zhvendosën në zonën Eksarhia, arena e zakonshme e përleshjeve të tilla.

Anarkistët hidhnin pa kursim bomba molotov  kundër trupoave të ndërhyrjes së shpejtë. Këta të fundit u përgjigjen duke përdor gjithashtu pa kursim gaz lotsjellës dhe kimikate të tjera, si dhe shashka. Flakët përfshinë kazanët e mbeturinave, ndërsa u dogj tërësisht edhe një makinë e dëmutan dhjetra të tjera.

Për shumë orë, rrugët rreth sheshit Omonia ishin të bllokuara dhe nuk lejohej qarkullimi i automjeteve.

Situata nisi të normalizohej pas mesit të natës.

Policia arrestoi 16 persona, shtatë prej të cilëve janë grekë, ndërsa të tjerët janë të rinj nga Franca, Gjermania, Italia, Lituania dhe Egjipti.

/Ora News.tv/