Autoritetet kineze ndaluan zhvillimin e përkujtimoreve për 31 vjetorin e masakrës së Sheshit Tian-an-men. Por qytetarët e Hong Kongut gjetën mënyra alternative për kujtimin e dhjetëra e mijëra protestuesve paqësore të masakruar nga forcat ushtarake. Në këtë përvjetor ndërkohë, parlamenti lokal miratoi projektligjin që kriminalizon mosrespektimin e himnit kombëtar të Kinës.

Populli i Hong Kongut gjeti mënyra alternative për të kujtuar 31 vjetorin e masakrës së Sheshit Tiananmen, pavarësisht ndalimit zyrtar prej autoriteteve.

Çdo 4 qershor që prej vitit 1990, grumbullime të mëdha njerëzish i bashkohen përkujtimores për jetët e humbura dhe idealet e shuara në vitin 1989, kur taket dhe ushtarët kinezë shtypën protestën njëmujore që kërkonte ndryshime demokratike në Kinën njëpartiake.

Ndalimi i përkujtimores, për herë të parë në tre dekada, vjen pas muaj protestash brenda rajonit autonom, shpesh herë të dhunshme dhe vetëm disa ditë pasi parlamenti kinez miratoi ligjin e ri të sigurisë publike që lejon shtypjen e asaj që konsiderohet përmbysje, separatizëm apo çdo vepër që mund të cenojë sigurinë e rajonit.

Policia u tha medieve vendore se 3,000 forca janë dislokuar për të penguar grumbullimet spontane.

Hong Kongu dhe Macau janë të vetmet pjesë administrative të Kinës që lejojnë përkujtimin e ngjarjes tragjike të vrasjes mizore me urdhër shtetëror të dhjetëra e mijëra vetëve. Në pjesën kontinentale të Kinës, ndalohet jo vetëm grumbullimi, por edhe përmendja e emrit të masakrës. Ajo njihet vetëm si incidenti i Sheshit Tiananmen.

Ndalimi i përkujtimores vjen në një kohë kur Kina po përpiqet të përfitojë nga kaosi në Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i Pekinit zyrtar është të përhapë ndikimin e vet global si dhe të forcojë pushtetin e udhëheqësit autoritar, presidentit Xi Jinping.

Shtypja nga Pekini vazhdoi edhe në përvjetorin e 31 të masakrës së Sheshit Tiananmen, kur ligjvënësit e Hong Kongut miratuan projektligjin që kriminalizon mosrespektimin e himnit kombëtar të Kinës.

/Ora News.tv/