Përfundon këndi i 30-të rekreativ në bllokun e banimit pranë zonës së ish-NSHRAK-ut

Përfundon këndi i 30-të rekreativ në bllokun e banimit

Para pak muajsh, pjesa mes bllokut të pallateve në rrugën “Shefqet Musaraj”, në zonën e njohur si ish NSHRAK-u, ishte një hapësirë e degraduar, që shërbente si vendparkim makinash. Sot, falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës, e gjithë kjo hapësirë i është kthyer banorëve të zonës, si një kënd rekreativ, e pajisur me infrastrukturën e duhur, me trotuare, stola, ndriçim, lulishte, pemë etj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar edhe nga zëvendësministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi, pa nga afër transformimin që ka pësuar kjo hapësirë, duke falënderuar mbi të gjitha qytetarët për bashkëpunimin e dhënë në realizimin e këtij projekti.

“Jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që kanë dhënë një kontribut sot sepse kur të gjithë punojmë bashkë, nuk merremi me llafe e nuk pengojmë njeri -tjetrin, jemi konstruktivë, i gjithë ky komunitet ia pa hajrin të qënit bashkëpunues dhe ne duam të vazhdojmë në mënyrë kapilare. Ky është vetëm këndi i 30-të, por Tirana ka nevojë për 300. Sigurisht, krahasuar me zero jemi 30 herë më mirë, por krahasuar me ambicien që kemi, duhet të bëjmë edhe 10 herë më shumë”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se tashmë që disa nga projektet madhore kanë përfunduar ose janë drejt fundit, Bashkia e Tiranës do të vijojë punën me shtimin e hapësirave të tilla, që jo vetëm ia rrisin vlerën zonës, por edhe krijojnë mundësi pushimi dhe shlodhje për të gjithë banorët. “Po u sollëm kështu, Europën mund ta bëjmë vetë në këto copëza të Tiranës ku po ndërhyjmë dhe fakti që tani mbaruam me sheshin “Skënderbej”, me Pazarin e Ri, me këndin e lojrave te Liqeni, me Bulevardin e ri, e kemi shumë kollaj që të fokusohemi këtë vit të fundit, por edhe mandatin tjetër, vetëm në nivel kapilar nëpër lagje, sepse në fund të ditës njerëzit vërtet duan një teatër të ri, por një orë do rrinë në teatër, 23 orët e tjera do rrinë në lagje”, u shpreh kreu i bashkisë.

Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se ndërkohë që bashkia bën rehabilimin e hapësirave mes lagjeve, vetë banorët kanë në dorë që duke zgjedhur administratorin, të bëjnë rikonstruksionin e fasadave të pallateve. “Do të vijojmë me të njëjtin stil, me të njëjtin sistem në çdo bllok pallatesh. Po gjetëm qytetarë që janë bashkëpunues, që mbajnë pastër, që nuk dëmtohet, na liron forcat e punës që të shkojmë e të punojmë në një bllok tjetër. Thirrja ime për këto komunitete është tani siç bëmë këtë, hajde bëjmë edhe fasadat e pallateve, sidomos pallatet e vjetra që kanë nevojë për një dorë, për një kapotë, për një fasadë shumë më elegante, por sigurisht edhe në kursim të energjisë! Nëse mblidhen banorët, bëjmë një këshillë të komunitetit, zgjedhin një administrator, administratori më pas vjen në Bashki, merr një fond me të cilën rregullon dhe sistemon pallatet, nuk ka asnjë arsye pse të mos jemi edhe ne si jashtë shtetit”, deklaroi Veliaj.

Duke u ndalur te çështja e ndërtimit të teatrit të ri, kryebashkiaku Veliaj theksoi se të gjitha nismat dhe projektet e Bashkisë Tiranë që replikohen dhe debatohen nga opozita dalin më të bukura dhe më të mira. “Fakti që sot ka debate dhe të gjithë punët e Bashkisë hanë debat, siç u zumë për këndin e lojrave, doli i shkëlqyer, siç u zumë për bulevardin, doli i shkëlqyer, siç u zumë për Pazarin e Ri doli i shkqyer, siç u zumë për sheshin “Skënderbej”, mori çmim dhe siç po ka debate për teatrin, do dalë një vepër e shkëlqyer. 

daj sa mirë që vëmendja tani nuk është më: a punohet apo jo në Tiranë, por a e duam apo jo një punë të caktuar; ky në thelb është një kompliment sepse njerëzit e dinë që po u vu dorë nga qeveria shqiptare, nga Bashkia e Tiranës, do dalë diçka e mirë. Do i dëgjojmë të gjithë, do bëjmë debat kush janë grupet e interesit, siç u bindën artistët, siç u bindën regjisorët. Në momentin që janë politikë, politikë do ketë. Ca njerëz nuk do binden kurrë, por për sa kohë që masa e popullit, artistëve e intelektualëve, e atyre që duan ndryshimin do që Tirana të ecë përpara, do vijojmë të ecim përpara”, tha ai.

 

EMISIONET