Përfundon arratia e shqiptarit, në kërkim për grabitje me vlerë 1 milion euro

Një shtetas shqiptar është arrestuar në Athinë me akuzën e pjesëmarrjes në bandë kriminale që kryente grabitje me armë.

59 vjeçari ndodhej në kërkim prej më shumë se një viti, kur ishte identifikuar si pjesëtar i bandës që ishte bërë tmerri i vilave luksoze në kryeqytet dhe që u asgjësua në prill të vitit të kaluar.

Banda vepronte kryesisht në orët e vona të mbrëmjes dhe vinte në shënjestër banesa luksoze në zona të ndryshme të Athinës, duke marrë bizhuteri, shuma parash dhe automjete.

Sipas policisë, vlera e sendeve të vjedhura e të grabitura e kalonte shifrën një milion euro.

Në tre raste ata kanë përdorur edhe armët: një herë kundër pronarit të një vile në Vula, i cili tentoi të vetëmbrohej dhe dy herë kundër policëve që ishin vënë në ndjekje të tyre.

Policia kishte sekuestruar një sasi të madhe bizhuterish, një armë luftarake dhe tri pistoleta. Një shumë parash prej 11.340 euro, si dhe 1.100 dollarë, mjaft telefona celularë, si dhe një sasi e konsiderueshme targash falco.

Gjithashtu ishin gjetur dhe 18 automjete të vjedhura, që iu dorëzuan pronarëve të tyre të ligjshëm.

Posaçërisht 59 vjeçari i arrestuar sot, akuzohet për vrasje në tentativë, pjesëmarrje në organizatë kriminale, bashkëpunim në vjedhje e grabitje, armëmbajtje pa leje dhe përdorim arme pa leje.

EMISIONET