Për deputetin e PS-së, Arben Pëllumbi, presidenti Meta po sillet si një përfaqësues i opozitës dhe jo si një figurë unifikuese e popullit.

I ftuar në studion e lajmeve në Ora News, Pëllumbi është shprehur se ne jemi një republikë parlamentare dhe jo presidenciale, duke thënë se presidenti kishte shkaktuar një ngërç në lidhje me emërimin e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.

Po ashtu, Pëllumbi shtoi se mazhoranca është në një proces shkarkimi në raport me presidentin, dhe janë në pritje të raportit te Komisionit të Venecias.

Pëllumbi: Në këndvështrimin tim, presidenti Meta flet si një përfaqësues i opozitës, pasi duhet të ketë unitetin e popullit, jo të nxjerrë në rrugë disa njerëz kundër disa njerëzve të tjerë, nuk është roli i presidentit ky.

Në jemi një republikë parlamentare dhe jo presidenciale. Parlamenti prandaj rri i mbledhur, për të dhënë drejtim çështjeve të cilat krijojnë ngërç. Çështja e betimit te presidenti ka krijuar një ngec, prandaj parlamenti e ka quajtur të nevojshme një ndërhyrje për ta rregulluar këtë gjë.

Ne kemi një çështje të hapur me presidentin për shkarkimin e tij, ne besojmë që presidenti ka bërë një shkelje të rëndë të kushtetutës, prandaj jemi në pritje se çfarë do të thotë komisioni i Venecias. Ne kemi ngritur një komision hetimor që ka ekspertë të fushës dhe ata do të bëjnë një raport, duke pritur edhe fjalën e komisionit të Venecias. Ai raport duhet të votohet nga seanca plenare, por në fund fare fjalën e ka Gjykata Kushtetuese. Duhet t’i qëndrojmë larg politikisht kësaj çështjeve. Kjo është një çështje që i ka vajtur drejt prokurorisë. Presidenti ka dhënë indicie. Duhet të edukohemi që ato që themi janë indicie dhe është gjykata ajo që i kthen në prova. 

/Ora News.tv/