PD akuzon: KLGJ dhunoi Kushtetutën me emërimin e gjyqtarëve të përkohshëm

PD akuzon: KLGJ dhunoi Kushtetutën me emërimin e gjyqtarëve

Partia Demokratike akuzon KLGJ se ka dhunuar Kushtetutën me caktimin e gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë.

Në një prononcim për median PD thotë se caktimi i gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor bie ndesh me Kushtetutën. Sipas Kushtetutës duhet që për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të japë pëlqimin edhe Presidenti i Republikës.

"Për Partinë Demokratike është shumë e rëndësishme që çështjet me natyrë urgjente, të cilat lidhen me shqyrtimin e kërkesave për ekstradim, të zgjidhen brenda afateve ligjore dhe pa rrezikuar që kriminelët të lirohen për shkak të mungesës së gjykatës. Por, kjo duhet të realizohet në përputhje me Kushtetutën, sepse, ndryshe, mund t’u shërbejë kriminelëve si alibi për të kërkuar lirimin e tyre.

 Këshilli i Lartë Gjyqësor ka për detyrë të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të vënë në funksonim sa më parë Gjykatën e Lartë dhe jo të dhunojë Kushtetutën me emërim gjyqtarësh të përkohshëm sipas modelit antishtet të Edi Ramës për të kontrolluar drejtësinë me prokurorë e gjyqtarë të përkohshëm. Kjo është drejtësia private e Edi Ramës, e cila ka per qëllim të mbrojë nga ndëshkimi Edi Ramën dhe t’u japë vrasësve dhe kriminelëve një alibi për t’i shpëtuar drejtësisë së vërtetë!' nënvizon PD në deklaratën e saj.

Këshilli i Lartë Gjyqësor zgjodhi te premten e 26 korrikut dy gjyqtarët që do të shqyrtojnë në Gjykatën e Lartë 5 ekstradimet e mbetura pezull. 

Dy gjyqtaret e Apelit të Krimeve të Rënda Albana Boksi dhe Sokol Binaj,  u përzgjodhën për të  plotësuar trupën me 3 gjyqtarë së bashku me Ardian Dvoranin për  shqyrtimin e 5 kërkesave.

EMISIONET