Pasojat e tërmetit kanë penguar zhvillimin e mësimit në tre fakultete të Universitetit të Tiranës. Veç Gjeologji Minierave, edhe në fakultetin Filologjik po kryhen punime, ndërsa studentët e drejtësisë po e organizojnë mësimin në mjediset e Liceut Artistik dhe shkollës "Kosova" për shkak të punimeve në tre godinat.

Të paktën tre fakultete, ai i Gjeologjisë dhe Minierave, Historisë dhe Filologjisë si dhe Fakulteti i Drejtësisë i kanë pritur studentët mes rrëmujës dhe zhurmës së punimeve që po kryhen në to.

Tre javë pas tërmetit, në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave ende nuk janë pastruar inertet ndërsa kati i tretë vijon të mbetet jashtë funksionit.

Studentët, veçanërisht ata të vitit të parë, thonë se nuk prisnin që institucionin ta shihnin në këtë gjendje.

Në punime ndodhet edhe Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë.

Oborri është kthyer në një kantier ndërtimi, ndërsa hyrja kryesore është mbyllur.

Studentët thonë se detyrohen që kohën e lirë mes orëve të mësimit ta kalojnë në kafenetë pranë shkollës.

Në auditoret e Fakultetit të Drejtësisë janë ulur vetëm studentët e vitit të parë.

Mësimi zhvillohet në shkollën "Kosova" dhe Liceun Artistik pas orës 14. Drejtuesit e Fakultetit sqarojnë  për Ora News se punimet për riparimin e dëmeve të tërmetit do të zgjasin të paktën edhe 1 muaj.

/Ora News.tv/