Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë ditën e sotme në samitin e vendeve të Evropës Juglindore SEECP, ndonëse minsitri i jashtëm në detyrë, Gent Cakaj konfirmoi mospjesëmarrjen e Shqipërisë.

Në një postim në facebook, Meta shkruan se mbetet me shpresë se në tetor Këshilli i BE-së do të vendosë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.

“Përparimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin integrues për në Bashkimin Europian është thelbësor.  Mbetemi të përkushtuar dhe me shpresë se Këshilli i BE-së do të vendosë në tetor për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut fqinje”.

Gjithashtu Meta shprehu mirënjohjen për kancelaren Merkel dhe qëndrimin e saj që vendet e Ballkanit t’i bashkangjiten BE-së.

“I jemi mirënjohës vizionit të Kancelares Angela Merkel, që u përsërit edhe në Samitin e fundit të Poznanit, se dhënia e mundësisë vendeve të Ballkanit për t’i bashkëngjitur BE-së është në interesin strategjik të bllokut komunitar europian”.

/Ora News.tv/