Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas kritikave ndaj tij për dekretimin e ndryshimeve të kodit të ri penal.

Në një reagim në facebook, Meta thotë se sot është një ditë e rëndësishme, Dita Ndërkombëtare e Librit, por sipas tij, "fatkeqësisht ka disa “pseudo-intelektualë” dhe “pseudo-ekspertë”, të cilët jo vetëm kanë harruar të lexojnë libra, por as duan të lexojnë e të kuptojnë vendime të thjeshta, por tepër të rëndësishme për jetën dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve në këto momente të vështira pandemie".

Meta u sugjeron të thellohen dhe të lexojnë variantin final të miratuar nga Kuvendi pas ndryshimeve thelbësore të propozuara publikisht nga Presidenti i Republikës.

Për ata që pretendojnë se po shkelen të drejtat e qytetarëve, Kreu i Shtetit ka hequr paralele me Danimarkën.

Meta: Dhe meqënëse janë kaq të brengosur për cenimin e të drejtave të njeriut, po citoj vetëm dy nene, të një vendi që e kam për zemër si kampion të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe që shpiku institucionin e Ombudsmanit (Avokatit të Popullit), si Danimarka:

Neni 192
2. Nëse sëmundja është e tillë që, sipas ligjit, plotëson kushtet për trajtim nga shëndeti publik ose në kohën kur kryhet vepra po trajtohet si e tillë, ose nëse masa të veçanta janë marrë nga shteti kundër sëmundjes, dënimi është burgim deri në 6 vjet.

Neni 252
1. Personi i cili, për qëllime përfitimi, ose me dashje ose për shkak të një neglizhence të ngjashme, vë në rrezik kërcënues jetën apo aftësinë fizike të të tjerëve, dënohet me burgim deri në 8 vjet.

Pra të dashur “armiq” të librit, megjithëse leximi i librit është një mundim shumë i madh për ju, besoj se këto dy rreshta do gjeni kohë t’i lexoni.

Me përgjegjshmëri të plotë dhe me koherencën e përhershme jo vetëm e mbrojta Kushtetutën, por edhe zgjidhëm boshllëkun, që kishte Kodi Penal për ata që donin të përdornin pandeminë kundër shëndetit të qytetarëve, duke vendosur për këtë çështje madhore një standard si të Danimarkës. Ah sikur të kishim në çdo fushë standarde të tilla….

Kreu i Shtetit dekretoi dje ndryshimet e kodit penal, ku pjesa thelbësore e tyre ishin propozim i tij. 

Ndryshimet parashikojnë deri në 8 vite burg për ata që përhapin sëmundje me vetëdije, ndërsa Presidenti tha se parashikimi ligjor i situatave të tilla ishte i domosdoshëm.

/Ora News.tv/