Pas 50 ditësh karantinë hapen dyqanet e shitjeve me pakicë, tregtarët: S'ka shitje!

Bizneset e shitjeve me pakicë në kryeqytet ngritën qepenat pas më shumë se 50 ditësh në karantinë.

Lëvizjet në rrugët ku ka përqendrim dyqanesh ishin të konsiderueshme, por jo shitjet.

Matilda Dhivra është sipërmarrëse veshjesh, e gjatë kësaj kohe është përpjekur të shesë online, por kërkesa ka qenë e paktë.

"Njerëzit duan ta provojnë dhe këtu hasim pak vështirësi tek shitjet online"

Këtë të hënë, rregulloi dyqanin për të pritur klientë, duke përmbushur të gjitha masat e sigurisë, por kërkesa ishte thuajse zero.

"Ndalim qarkullimi, orari është i kufizuar, ndoshta rendin të marrë ato gjëra më të domosdoshëm të ditës. Akoma nuk ka hyrë njeri në dyqan"

Fatjon Poçi ka një dyqan ku tregton këpucë, ndërsa thotë se shitje nuk ka patur pasi dhe furnizimi mungon.

"Ka kaluar gjysma e sezonit dhe nuk kemi marrë dot furnizimet e nevojshme"

Ai është përfitues i pagës së luftës, por ato para nuk ka mundur ti gëzojë, për shkak të detyrimeve.

"Nuk është se i ka mbuluar të gjitha. Kemi marrë pagën e luftës po kemi paguar 3 muaj sigurime dhe një pjesë të qirasë"

Edhe produktet për fëmijë nuk kanë numëruar kërkesë. Leonard Mullaj, thotë se deri tani, nuk ka aspak interes.

"Deri tani nuk ka hyrë njeri"

Nga kjo e hënë, dyqanet e shitjeve me pakicë kanë rifilluar aktivitetin nën masa të rrepta sigurie, duke ofruar shërbim vetëm për 1 klientë në dyqan nga ora 9 deri në orën 17.30.

EMISIONET