Izolimi duket sikur i ka bërë dëm skuadrës së Partizanit e cila sërish nuk ka gjetur qetësi.

Këtë të dielë, të kuqtë humbën kundër Kukësit me rezultatin 1-3 në stadiumin Selman Stermasi.

Vetëm 1 minutë nga fundi i pjesës së parë, Kukësi kaloi në avantazh përmes Abazajt. Përmes një lëvizje të bukur në zonë, ai arriti të mposhtë mbrojtësin e Partizanit dhe portierin.

Menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, Kukësi arrin të shënojë sërish por këtë herë përmes një gabimi të mbrojtësit të Partizanit i cili dërgoi topin në rrjetë.

Në minutën e 62, Ethemi shënoi dhe golin e tretë për verilindorët duke vendosur qetësi në kampin e Kukësit. Pas hyrjes në zonë, Ethemi mposhti portierin me anë të një parabole.

Partizani arrin të reagojë vetëm në minutën e 72 me një gol me kokë por një rezultat ky i pandryshuar deri në fund të takimit.

Të kuqtë humbën dhe takimin e parë të superiores pas rifillimit të futbollit më 3 qershor kundër Skënderbeut. Aktualisht ata janë shumë pranë zonës së rrezikut në vendin e 8 në kuotën e 38 pikëve.

/Ora News.tv/