Paratë e Athinës në mediat shqiptare, Shoqatat e Gazetarëve kërkojnë transparencë

Paratë e Athinës në mediat shqiptare, Shoqatat e Gazetarëve

Lajmi për financimin nga Athina të disa mediave dhe gazetarëve në vendin tonë, ka ngjallur një debat edhe pse deri tani nuk ka reagim të institucioneve zyrtare. Shoqatat e Gazetarëve dhe drejtuesit e portaleve, kërkojnë nga institucionet në vend që të reagohet dhe të bëhet transparencë kush janë mediat dhe gazetarët që kanë përfituar para për të punuar kundër interesave të vendit. Aleksandër Çipa dhe Anila Basha, thanë se kjo histori po ndikon negativisht në besueshmërinë e medias. 

Shoqatat e Gazetarëve dhe drejtues të portaleve informative, penetrimin e parave nga Athina në mediat shqiptare, e cilësojnë  si cënim të sigurisë kombëtare, ndaj kërkojnë nga institucionet të reagojnë dhe të bëjnë transparencë, duke publikuar emrat e gazetarëve dhe mediave që kanë përfituar fonde.

Aleksandër Çipa: Reagimi nuk mund të jetë as politik dhe as propagandistik por duhet të jetë një reagim institucional.Është momenti që institucionet e mbrojtjes së interesit kombëtar, institucionet shtetërore dhe ligjzbatuese të mund të ndjekin të gjitha rrjedhat e depërtimit të fondeve financiare nga një shtet tjetër në subjekte, individë apo qoftë edhe në skena mediatike të vendit.

Anila Basha: Duhet një transparencë e plotë për këtë çështje dhe kjo duhet të dalë me një dokument zyrtar.

Aleksandër Çipa, drejtues i Unionit të Gazetarëve dhe drejtuesja e portalit newsbomb, Anila Basha, thonë se kjo situatë po përkeqëson më tej besueshmërinë e medias.

Aleksandër Çipa: Ky është një moment ku abuzantët e së drejtës për informim dhe raportuesit e rremë jo vetëm që do ta tejkalojnë ashtu sikundër kanë filluar por mund të shpërdorojnë dhe të vrasin edhe më tej besueshmërinë e opinionit publik në përgjithësi ndaj mediave institucionale dhe aq më tepër ato profesionale.

Anila Basha: Duhet të pranojmë që besueshmëria e medias në Shqipëri ka rënë gjatë viteve të fundit sipas të gjithë studimeve që janë bërë. Kjo jo vetëm për faj të mediave apo profesionalizimit të gazetarëve por edhe të kuptimit që media është pjesë e kësaj shoqërie. Po të shikojmë edhe debatet në parlament, debatet në politikë apo çdo aspekt tjetër të shoqërisë.

Mediat greke kanë fshirë në portalet e tyre çdo lajm që lidhet me financimet në Shqipëri, ndërkohë që në vendin tonë duket se po qarkullojnë lista “fake” me qëllimin për të fshehur të vërtetën. 

Në media krahas emrave të disa gazetarëve janë përfolur dhe artisë si aktorja Olta Gixhari apo rrepisti Noizy.

Anila Basha: Në fund fare është edhe një arsye më shumë për tu regjistruar portalet në mënyrë që ne që jemi përmendur në këto lista të kemi një mundësi që tu kërkojmë kolegëve tanë të sqarojnë burimin e informacionit.

EMISIONET