Sot në orën 19, në pallatin e kongreseve do të zhvillohet mbledhja e këshillit politik për reformën zgjedhore. Por sot duhet të jetë mbledhja e fundit, pasi palët ishin zotuar ta përmbyllnin atë brenda datës 31 maj. Mëgjithatë konsensusi duket ende larg, për sa kohë që përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, i ndan palët në kahe të ndryshme.

Pak orë para nisjes së mbledhjes së Këshillit Politik, që do të duhet të ishte fundit në gjetjen e konsensusit, presidenti Ilir Meta ka dalë me një tjetër propozim për tryezën.

Përmes një mesazhi në Facebook, kreu i shtetit duket se mbështet ndryshimin e sistemit zgjedhor, ndërsa thekson se shembullin se nuk ka frikë nga vota e qytetarëve, mund ta japë vet i pari.

“Të mos kenë më frikë nga vota e lirë dhe e barabartë e qytetarëve të vendit dhe t'u japin mundësi të shprehen, jo vetëm për partitë, por edhe për deputetët që këta të mos heshtin më në Parlament e të vazhdojnë të ngrenë duart për ligje e politika që shtojnë varfërinë në vend dhe favorizojnë vetëm një grusht oligarkësh dhe politikanësh që kurrë s'duan të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësiDhe për të dhënë shembullin i pari ju ftoj të vendosni edhe zgjedhjen e Presidentit nga populli, që në këtë vend Presidenti të mos këtë më detyrime ndaj asnjë partie, por vetëm ndaj Kushtetutës, qytetarëve dhe Republikës” – shkruan Meta.

Presidenti e quan diçka të vogël gjetjen e konsensusit, por palët ende nuk kanë marrëveshje për çështje që i mbajnë larg.

Bylykbashi: Pa u arritur dakortësia për propozimin tonë që bllokon mbushjen e kutive përmes identifikimit biometrik të zgjedhësve në të gjitha qendrat e votimit, të gjitha përpjekjet e tjera nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të maskuar. 

Gjetja e kompromisit në mbledhjen e sotme bëhet më i largët, kur pakica parlamentare ushtron presion me votat në parlament, duke kërkuar ndryshim sistemi.

Edhe pse gjatë javës së fundit, Këshilli Politik plot 3 herë, është ngujuar me orë në pallatin e kongreseve, sërish në përfundim të mbledhjes, palët nuk kanë arritur të firmosin një marrëveshje për refomën, që kushtëzon dhe integrimin e vendit në bashkimin europian.

/Ora News.tv/