Mosmarrëveshjet për lëshimin e Korona-bondeve rrezikojnë të gjithë projektin europian. Paralajmërimi vjen nga komisioneri për Ekonominë, Paolo Gentiloni. Çarjet u panë gjatë takimit të fundit të Këshillit, kur Gjermania dhe vendet e tjera veriore refuzuan lëshimin e korona-bondeve si borxh i përbashkët i shteteve anëtare.

Bashkimi Europian tha të hënën se mosmarrëveshjet e vendeve anëtare për politikat ekonomike gjatë pandemisë së koronavirusit, rrezikojnë ta përçajnë bllokun. Paralajmërimi u bë nga komisioneri për Ekonominë i BE-së, Paolo Gentiloni.

“Është e qartë se dallimet ekonomike midis vendeve europiane, në vend që të zvogëlohen përballë një krize si kjo, do të rriten. Do të jetë shumë e vështirë ta mbajmë të bashkuar projektin europian”, tha Gentiloni.

Të enjten, Gjermania dhe shtetet e tjera veriore të BE-së e refuzuan një propozim të mbështetur nga nëntë vende, përfshirë Italinë, Spanjën dhe Francën, për të ashtuquajturat “koronabonde”.

Këto bono do të lëshoheshin në emër të Eurozonës si tërësi dhe do të konsideroheshin borxh i përbashkët i shteteve anëtare.

Gentilioni kërkoi që vendet anëtare të "fillojnë hartimin e objektivave të përbashkëta."

"Kemi nevojë për një instrument të ri të garantimit të pagesës së papunësisë dhe një plan për mbështetjen e biznesit”, tha komisioneri.

Dy vendet me numrin më të madh të viktimave nga shpërthimi i koronavirusit janë Italia dhe Spanja, të dyja anëtare të Bashkimit Europian.

Më herët ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar që paralajmëroi se ekonomia botërore ka rënë në recension.

Drejtorja menaxhuese Kristalina Georgieva tha se më të prekurat janë ekonomitë në zgjerim, për shkak të reduktimit të tregtisë, rënies së eksporteve dhe tërheqjes së kapitalit nga tregjet.

Georgieva theksoi se ekonomitë në zgjerim duan të paktën 2.5 trilionë dollarë për të kaluar gjendjen e shkaktuar nga pandemia.


/Ora News.tv/