Një ditë pasi ktheu për rishqyrtim dy ligjet për mediat, kreu i shtetit bën apel për reflektim dhe jo kokëfortësi.

Meta fton të lexojnë të gjithë me vëmendje argumentet kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje”.

Postimi në facebook.

"Të dashur qytetarë,
Liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit, përveç se janë të drejta themelore kushtetuese, janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik. Shqipëria dy vitet e fundit ka një përkeqësim të këtyre treguesve, sipas konkluzioneve të organizatave prestigjoze ndërkombëtare të gazetarëve, si dhe të institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë respektimin e lirisë së medias. Ndaj është koha për të reflektuar dhe për të mos ecur me kokëfortësi në rrugën e censurës dhe autoritarizmit, që do të përbënte rrezik për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Edhe njëherë, i ftoj të gjithë të lexojnë me vëmendje argumentat kushtetuese dhe ligjore të kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje”.

Ndërkohë përmes kreut të grupit PS-se, Taulant Balla mazhoranca akuzoi Presidentin Ilir Meta se ka marrë urdhër nga Lulzim Basha për të rrëzuar paketën antishpifje dhe për këtë arsye PS nuk do t’i marrë parasysh vërejtjet e Kreut të Shtetit, por do ta rrëzojë dekretin në Parlament. 

Balla: "Sipas procedurës parlamentare, ditën e hënë më datë 20 janar, ardhja e dekreteve i njoftohet seancës plenare dhe më pas, menjëherë sipas procedurës, Komisioni përgjegjës do ti shqyrtojë dhe në seancën më të parë pasuese, dekretet e z.Ilir Meta do të rrëzohen."

Nga ana tjetër socialistët i kërkojnë drejtësisë që çështja e Bashës për lobimin rus të hetohet nga SPAK. 

/Ora News.tv/