Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar refuzoi rihapjen e hetimeve ndaj deputetit të PS-së Taulant Balla. Togat e zeza kanë rrëzuar padinë e bërë nga Shkëlzen Berisha ndaj kreut të grupit parlamentar socialist për shpifje në lidhje me çështjen CEZ. Sipas gjykatës, pala kërkuese nuk paraqiti prova të mjaftueshme në seancë.

Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e Shkëlzen Berishës për rihapjen e hetimeve ndaj deputetit të PS-së, Taulant Balla.

Berisha e akuzonte zyrtarin e PS-së për kryerjen e veprës penale të shpifjes, “nxjerrjes së akteve sekrete” dhe “shpërdorim të detyrës”.

Berisha ishte ankuar në Gjykatën e Posaçme duke kërkuar prishjen e vendimit të ish-Prokurorisë për Krimet e Rënda për mosfillim procedimi penal ndaj Ballës.

Çëshja ka lidhje me padinë e ngritur nga Berisha ndaj Ballës për shpifje në lidhje me çështjen CEZ.

Berisha pretendon se gjatë punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar, Taulant Balla, ka publikuar akte personale të transaksioneve tatimore të Shkëlzen Berishës në kundërshtim me ligjin.

Por kërkesa e Shkëlzen Berishës u rrëzua nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila vlerësoi se pala kërkuese nuk paraqiti prova të mjaftueshme për t’i provuar shpifjet.

Në seancë nuk u paraqitën vetë Berisha e Balla, por avokatët e tyre përfaqësues.

Kjo nuk është hera e parë që Shkëlzen Berisha dhe Taulant Balla përballen me njëri-tjetrin në gjykatë.

Ata kanë bërë padi të ndërsjella edhe më parë në lidhje me deklaratat dhe akuzat politike të bëra publikisht në media.


/Ora News.tv/