Emisioni investigativ “BOOM” solli ditën e sotme situatën pas tërmetit të dy familjeve në Ndroq ku janë shkatërruar me dhjetra shtëpi.

Kjo situatë vjen si pasojë e indiferencës së Bashkive, kur goditi tërmeti i shtatorit, nuk u bënë verifikime në të gjithë zonat e prekura.

Ndërkohë që lëkundjet e fundit i dhanë këtyre banesave goditjen finale. Ekipi i “BOOM” shkoi në shtëpinë e çiftit të moshuar Dashamir dhe Sanie Mancaku.

Gjendja e banesës së tyre është tepër shqetësuese ndërsa ata pohojnë se gjatë natës flenë në çadër.

Gjendja e familjes Mancaku pas tërmetit.

Gazetarja: Ku po jeton tani?

Sanie Mancaku: Në çadër.

Gazetarja: Është ftohtë në çadër?

Sanie Mancaku: Ftohtë është. Prandaj më ka ikur zëri mua.

Gazetarja: Sa ditë ke që je në çadër?

Sanie Mancaku: Që kur janë shembur. Jetoj me burrin. Kam frikë të jetoj brenda.

Gazetarja: Fëmijë keni?

Sanie Mancaku: Jo.

Gazetarja: Si quheni?

Dashamir Mancaku: Dashamir. Në këtë shtëpi nuk rrihet më, s’kemi se çfarë të bëjmë.

Gazetarja: E dini që është e rrezikshme të rrini në shtëpi tani.

Dashamir Mancaku: E di po që dal shpejt unë. Nuk rri shumë. Tërmeti i parë e dëmtoi ndërsa i dyti e shembi. Nuk ka bërë gjë Njësia Administrative.

E vetmja ndihmë që çifti i moshuar ka marrë është një çadër, as dyshek e as krevat. Ata kanë shtruar një mbulesë në tokë ku dhe flenë.

Sanie Mancaku është e paralizuar ndaj dhe këto kushte janë jashtë normales për të qëndruar.

Gjendja e familjes Çurri pas tërmetit.

Pas situatës katastrofike që paraqitej në familjen Mancaku, “BOOM” vizitoi dhe familjen Çurri përsëri në Ndroq.

Shtëpia e tyre ka pësuar çarje të frikshme dhë rënie të tavanit ndërkohë që e vetmja ndihmë që kanë marrë deri tani është një çadër të cilën e kanë vendosur në cep të shtëpisë.

Znj. Çurri: Momentin kur ra tërmeti isha në gjumë këtu. Dola jashtë se ikën dhe dritat në atë moment.

Gazetarja: Ku jeton tani?

Znj. Çurri: Ja aty…

Gazetarja: Keni shkuar tek Njësia Administrative?

Znj. Çurri: Janë të pabanueshme na kanë thënë. Nuk kemi se ku të shkojmë.

Gazetarja: Nuk keni frikë që rrini aty, muret janë hapur nga të gjitha anët.

Nazmi Çurri: Zoti herën e pa dhe na ruajti, edhe herën e dytë që u shembën na ruajti. Ne jemi dy pleq dhe rrimë deri në orën 12, 1 zgjuar pastaj flemë të gjithë me rradhë. Nëqoftëse ka mundësi edhe shteti të na ndihmojë të na bëjë shtëpiat.  

/Ora News.tv/