Problematikat e denoncuara herë pas here nga sindikata e policisë kanë bërë që avokati i popullit pas hetimeve të konstatojë një serë mangësish mbi aktivitetin e organizatës së policisë. Sipas Sadetin Fishtës, problematikat në vend se të zgjidhen, sa kanë ardhur dhe janë shtuar.

Problematikat e konstatuara herë pas here për sa i përket vonesave për pagesën e orëve shtesë të punonjësve të policisë ka bërë që Avokati i Popullit të nisë hetimet duke konstatuar mangësi të shumta.

Sipas kreut të sindikatës së punonjësve të policisë, Sadetin Fishta heshtja e policisë dhe ministrisë së brendshme ka bërë që problematikat të mos zgjidhen prej kohësh.

Fishta: Ne të gjitha nivelet i kemi konsumuar, të paktën në rrugë administrative dhe përgjigjet kanë qenë heshtja dhe mungesa e vullnetit për tu takuar, për ti trajtuar, për të negociuar me sindikatën për të gjitha këto probleme që kemi.

Fishta deklaron se asnjë nga detyrimet e Drejtorisë së policisë ndaj punonjësve nuk është marrë parasysh, ndërsa problemet kanë ardhur duke u shtuar.

Fishta: Në kuadrin e të drejtave të punonjësve gjithmonë do ketë probleme, por problemet nuk kanë ardhur duke u trajtuar normalisht dhe duke i dhënë zgjidhje, por kanë ardhur duke u shtuar këto probleme.

RTV Ora së fundmi ka publikuar dokumente ku avokati i popullit ka kërkuar zgjidhjen e problemit të pagesës së orëve shtesë për punonjësit e policisë, uniformat, apo transferimet pa kriter të efektivëve kryefamiljarë.

/Ora News.tv/