Opozita parlamentare duket se po llogarit të gjitha opsionet për të bllokuar votimin e kodit zgjedhor në mënyrë të njëanshme në Kuvend.

Murrizi: Hap pas hapi të gjitha do ti shikojmë, mund të ketë ndonjë qëndrim  edhe më radikal sesa mosprania në seancë. Kur të vijë seanca do ta shikojmë.

Nesër në orën 09:30, Myslym Murrizi, kryetari i grupit parlamentar demokrat, së bashku me dy kryetarët e tjerë të grupeve parlamentare të opozitës do të kenë një takim me kryetarin Gramoz Ruçi.

Murrizi: Nesër kemi takim me kryetarin e Parlamentit për të diskutuar tre kryetarët e grupeve parlamentare opozitare që pse anashkalohet institucioni më i lartë i këtij vendi që është parlamenti. Parlamenti ka mandatuar një komision të reformës zgjedhore dhe është mbivendosje mes këshillit politik dhe komisionit të reformës zgjedhore.

Ata janë në pritje edhe të një takimi me kryeministrin Rama.

Murrizi: Kemi kërkuar takim me kryetarin e PS, si Kryeministër nuk kemi asgjë me të, nuk jemi pjesë e atyre që bëjnë sikur zihen ditën dhe ndajnë tendera natën dhe që është kryetari i mazhorancës, ka 77 vota në Kuvend. Kemi kërkuar të bashkëbisedojmë me të për të realizuar një reformë reale zgjedhore që shqiptarët çdo ditë shtohen dhe presin që të ketë vlerë vota e tyre.

/Ora News.tv/